Mungesa e anesteziologëve i detyron pacientët të presin me orë të tëra për të marrë shërbime në QKUK

Mungesa e anesteziologëve i detyron pacientët të presin me orë të tëra për të marrë shërbime në QKUK

Aktuale September 28, 2022 - 11:56

Mungesa e anesteziologëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po i detyron pacientët të presin me orë të tëra që të marrin shërbim nga ta. Këtë pritje e dëshmon edhe një nënë, e cila kishe pritur në Repartin e Radiologjisë anesteziologun për t’i ofruar shërbim.

Shqipe Berisha tha për “Radio Kosovën” se ka pritur me orë të tëra disa herë për ekzaminime me foshnje në duar. Sipas saj, gjithmonë ka pasur vonesa të anesteziologut, sa herë që ka shkuar për ekzaminim në Repartin e Radiologjisë.

“Djalin 8 muaj e kam operu, dhe sa herë kam ardhë me i bë ekzaminimet në QKUK që i kanë kërkuar mjekët para se me shti në operacion, kemi prit me orë të tëra në Radiologji anesteziologun me ardhë. Fëmija ka qenë i vogël edhe kërkojke me pi gji, anesteziologu vonohej, me pi s’kisha të drejtë me i dhanë, shumë problem ka qenë. Ish mungesë e tyre, edhe ata pak çka ishin s’po vinin me kohë. Fëmija e vegjël s’presin operacionet, terminët po janë të caktuara. Shumë keq, duhet me bë një zgjidhje. I bëj apel Ministrisë së Shëndetësisë që të bëjë një zgjidhje për sa i përket anesteziologëve që mos të këtë vonesa të tilla qysh kam pritur unë”, tha kjo qytetare.

Ndërkaq, Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahija, mungesën e anesteziologëve e arsyeton me moshapjen e specializimeve, pagat e ulëta dhe volumin e madh të punës.

“Nuk ka anesteziologë, sepse nuk janë hap specializimet që nga viti 2016, për ata është mungesë e anesteziologëve. Ikja e anesteziologëve është edhe për shkak të pensionimit të tyre dhe kryesisht për shkak të ofertës më të mirë të sektorit privat për ata edhe ata po ikin. Në privat kanë pagë më të mirë, disa herë më të madhe, dhe kujdestari më pak”, tha drejtori Spahija.

Ai tutje thotë se në vitin 2019 kanë pasur 64 anesteziologë. Prej vitit 2020 deri më tani punën e kanë lënë 22 anesteziologë. Ndërsa, sipas tij, 120 anesteziologë duhet të jenë në QKUK për t’i kryer nevojat e pacientëve. /rtk