MSH-së i kushtoi rreth 630 mijë euro humbja e një rasti gjyqësor

MSH-së i kushtoi rreth 630 mijë euro humbja e një rasti gjyqësor

Aktuale September 24, 2022 - 15:44

Lidhur me raportimet në media për një kontest gjyqësor administrativ në të cilin, palë me interes juridik ka qenë Ministria e Shëndetësisë, në takimin e mbajtur në mes të përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, është dakorduar për hapat e mëtejmë lidhur me këtë rast.

Sipas njoftimit thuhet se çështja e tillë gjyqësore, ka të bëjë më një proces tenderimi të vitit 2011, për të cilin është paditur Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë për anulim vendimi dhe kompensim dëmi, raporton Zeri.info.

“Ministria e Shëndetësisë përmes kësaj komunikate, si palë e dëmtuar e njofton opinionin se ka bërë ankesë ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë dhe bashkë me Avokaturën Shtetërore, do të vazhdojnë ta mbrojnë interesin juridik në çështjen në fjalë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet në procedurat e mëtejme gjyqësore.Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë brenda kompetencave ligjore, do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme disiplinore ndaj personave përgjegjës brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe njëkohësisht, rastin e tillë, do ta denoncojë në organet e ndjekjes dhe hetuesisë”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Ndryshe bëhet e ditur se rreth 630 mijë euro i ka kushtuar MSH-së humbja e rastit në gjykatën e shkallës së parë kundër një kompanie farmaceutike, për një tender të vitit 2011.

Ndërkaq, për shkak se Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur palë mbrojtëse në seancë atëherë për bazë janë marr vetëm argumentet e kompanisë farmaceutike. /Zëri