SHBA-ja me ndihmë ushtarake për Kosovën dhe vendet e rajonit
Foto: Laura Hasani

SHBA-ja me ndihmë ushtarake për Kosovën dhe vendet e rajonit

Aktuale September 08, 2022 - 18:06

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe për 2.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe shtetet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, me qëllim që të rritet siguria në mbarë Evropën pas pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 8 shtator se Shtëpia e Bardhë do të përdorë 2 miliardë dollarë nga Programi për financimin e jashtëm ushtarak për të rritur sigurinë e Ukrainës dhe të 18 fqinjëve të saj – përfshirë edhe disa shtete të NATO-s – dhe të partnerëve rajonalë të sigurisë, “që janë më së shumti në rrezik nga agresioni rus në të ardhmen”.

Përafërsisht 1 miliard dollarë dollarë do t'i ndahen Ukrainës, tha një zyrtar. Pjesa tjetër do të ndahet midis: Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Njoftimi erdhi disa orë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se administrata e presidentit Joe Biden, ka miratuar edhe dërgimin e armëve në vlerë prej 675 milionë dollarë. Ai tha se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ketë sukses në fushëbetejë kundër forcave ruse të cilat e nisën pushtimin në fund të shkurtit.

“Kjo është tërheqja e 20-të e armatimeve nga stoqet amerikane që i janë dhënë Ukrainës që nga gushti i kaluar”, tha Austin gjatë një takimi në bazën Ramstein në Gjermani. Ai shtoi se pakoja e ndihmës do të përfshijë obusë 105 milimetrash, raketa precize GMLRS dhe municion të artilerisë.

Përfshirë edhe pakon e fundit të 8 shtatorit, ndihma totale që administrata Biden ka dhënë për Ukrainën ka arritur në vlerën e 15.2 miliardë dollarëve.

Luftimet janë intensifikuar javëve të fundit, teksa Ukraina ka nisur një kundërofensivë për të rimarrë kontrollin e disa zonave që u morën nga trupat ruse në fillim të luftës.