Bajrami: Ideja për ndëshkim të grevistëve vepër penale, s’mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova

Bajrami: Ideja për ndëshkim të grevistëve vepër penale, s’mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova

Aktuale August 25, 2022 - 15:02

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është shprehur se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje e ka për obligim të ulet me sindikalistët, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo tha se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, dikur përkrahëse e secilës grevë në sektor publik e privat, duhet të gjejë zgjidhje shpejt për grevën e nisur sot, sepse dëmi nga zgjatja e grevës mund të jetë i parikuperueshëm, raporton Zeri.info.

Sipas Bajramit, ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova. “Ne kemi në fuqi Ligjin për Grevat, i cili i ka dhënë të drejtë punëtorit të organizojë grevë të ligjshme dhe i ka dhënë mbrojtje se askush s’mund të marrë masa ndaj tij pse ka hyrë në grevë të ligjshme”, shkruan ajo.

“Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti kanë mbetur te tema e tabelave dhe nuk po merren me asnjë problem tjetër. As me problemin e arsimit. As me problemin e energjisë. As me problemin e ekonomisë. As me problemin e shëndetësisë.

Në vend të zgjidhjeve, Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur të mos flasin për asnjë temë tjetër, përveç për tabela dhe për takime me Vuçiqin, dikur prioritet i fundit”. /Zëri