Prokuroria Speciale konfirmon kallëzimin penal ndaj Martin Berishajt

Prokuroria Speciale konfirmon kallëzimin penal ndaj Martin Berishajt

Aktuale August 17, 2022 - 16:56

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzim penal nga Agjencia Kundër Korrupsionit kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të cilin e ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.“Ju njoftoj se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurori Themelore në Prishtinë”, ka deklaruar Lutfiu.Në anën tjetër, Agjencia Kundër Korrupsionit nuk e ka konfirmuar zyrtarisht por as nuk e ka mohuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Berishajt, ani pse partitë opozitare sot gjatë ditës kërkuan shkarkimin e tij duke iu referuar kallëzimit penal.

Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, nga ky institucion kanë thënë se ligji i obligon që të ruajnë konfidencialitetin e informacionit, meqë Prokuroria gjatë trajtimit të rastit, mund ta hedhë kallëzimin apo të zhvillojë hetime dhe ndjekje penale.

“Në lidhje me pyetjen e adresuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e obliguar ta respektoj dispozitën ligjore të Ligjit NR.08/L-01703/ për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti dhe i njëjti ka përcaktuar me  Nenin 28 ( Publikimi, mbrojtja e të dhënave, ruajtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i informacionit) se: Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi.

Në kuptim të këtij ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen:

– Informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia, Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë sepse Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvillojë hetime dhe ndjekje penale”