Ministri Latifi u ligjëron pjesëmarrësve në Kongresin Botëror të Kirurgjisë

Ministri Latifi u ligjëron pjesëmarrësve në Kongresin Botëror të Kirurgjisë

Aktuale August 17, 2022 - 11:37

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, po vazhdon qëndrimin në Vjenë të Austrisë, ku sot mbajti ligjëratën “Menaxhimi i lëndimeve me potencial për fatalitet dhe traumave të zemrës”, në kuadër të punimeve të Kongresit Botëror të Kirurgjisë.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se në këtë ligjëratë, që ishte e ilustruar me video, Latifi foli për menaxhimin e gjendjes kaotike që krijohet në emergjencë gjatë traumave të ndryshme dhe posaçërisht se si duhet të ndahet i gjithë procesi i menaxhimit në segmente të veçanta, si në vendet me sisteme të zhvilluara shëndetësore, ashtu edhe në vendet ku mungojnë resurset e duhura si infrastruktura, përgatitja e stafit të traumës, sikurse në Kosovë, raporton Zeri.info.

Ministri Latifi gjatë ligjëratës ka ndarë edhe përvojat nga ekipi i tij në menaxhimin e traumave gjatë punës si kirurg dhe ka njoftuar se një nga qendrat e para të ekselencës klinike që do të krijohet në Kosovë është Qendra e Traumës, si nismëtare e sistemit të traumës në Kosovë, së bashku me programin e sub-specializimeve në këtë fushë dhe në kujdesin intensiv kirurgjik.

Po ashtu Latifi tha se përmes krijimit të sistemit të traumës do të standardizohet kujdesi i gjithë lëndimeve traumatike në tërë vendin dhe do të ngrihen:

1. Aftësitë klinike të ekipit të traumës;

2. Produktiviteti akademik: Synohet trajnimi i gjeneratës së ardhshme të kirurgëve të traumës, që do të kenë një gamë të gjerë interesash akademike dhe kërkimore;

3. Aftësitë arsimore dhe edukative: Kirurgët e traumës do të marrin pjesë në mësimdhënie dhe mentorim të specializantëve dhe studentëve të mjekësisë, përmes prezantimeve edhe në mjedise klinike; dhe

4. Zhvillimi i lidershipit: Trajnimet shtesë me sub-spcializime për të zhvilluar gjeneratën tonë të ardhshme të udhëheqësve në kirurgji dhe lëmin e traumës.

Kreu i MSH-së ka shpjeguar se “krijimi i sistemit të traumës kërkon një organizim modern të kapaciteteve njerëzore duke përfshirë stafin e Mjekësisë së Urgjencës, infrastrukturën dhe modalitetet e komunikimit për kujdesin paraspitalor, transportin dhe kujdesin brenda spitalor, përcaktimin e nivelit të qendrave të Traumës bazuar në konceptin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe trajnimin e stafit të traumës dhe urgjencës, si dhe stafit të kujdesit intensiv kritik (si infermierët, ashtu edhe mjekët)”.

“Kjo do të na ndihmojë jashtëzakonisht për të hartuar riorganizimin/krijimin e shërbimeve të Qendrës së Urgjencës dhe Traumës. Së fundi, modalitetet e akreditimit duhet të përfshihen në këtë vlerësim të Sistemit të ardhshëm të Traumës dhe Emergjencave në Kosovë”, tha Latifi. /Zëri

Image