Reduktimet e energjisë, Mustafa: Dimri mesjetar po vjen, Qeveria po rrudh krahët

Reduktimet e energjisë, Mustafa: Dimri mesjetar po vjen, Qeveria po rrudh krahët

Aktuale August 15, 2022 - 10:09

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka reaguar për fillimin e reduktimeve të energjisë elektrike në Kosovë.
Ai ka thënë se kjo gjendje do të vështirësohet në sezonin e dimrit, raporton Zeri.info.

Mustafa i është referuar si “dimër mesjetar”, duke përmendur faktet se është rritur çmimi i peletit dhe drunjëve.

“E kur s’punon KEK-u s’do të ketë as ngrohje qendrore.Çmimi i rrymës pritet të dyfishohet.Çmimet e produkteve esenciale, si ushqimi, deri sot janë rritur për 14,2%. E deri në dhjetor?

Këtë dimër familjet kosovare do të duhet të zgjedhin bukë të shtrenjtë apo dru/pelet/rrymë të shtrenjtë për ngrohje… nëse do të mund të gjejnë dru/pelet/rrymë për të blerë”, shkoi ai.

Mustafa më tej ka kritikuar Qeverinë e cila sipas tij nuk po bën asgjë për këtë situatë dhe se me këtë ritëm do të vijë një ditë kur do të mbyllen institucionet shkollore për shkak të ngrohjes.

“Kundërshtuan, protestuan, sulmuan deri në dështim zyrtar termocentralin me thëngjill Kosova C dhe termocentralin me gaz.

Me këtë ritëm, me këtë paaftësi qeverisëse, nuk përjashtohet situata ku çerdhet, shkollat, qëndrimet ditore nuk do të kenë me çka t’i ngrohin klasat e tyre. Do t’i detyrojnë prindërit t’i kthejnë fëmijët në shtëpi… ku as atje s’kanë ngrohje e as rrymë. Kush do t’i kryej punët e këtyre prindërve në vendet e tyre të punës… ku s’ka as ngrohje e as rrymë?”, shkroi ai ndër të tjera. /Zëri