Sveçla: Veriu i Kosovës 20 vjet ishte “El Dorado” për kriminelët
Foto:Laura Hasani

Sveçla: Veriu i Kosovës 20 vjet ishte “El Dorado” për kriminelët

Aktuale August 10, 2022 - 23:45

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se veriu i Kosovës ishte El Dorado për kriminelët në 20 vitet e kaluara. Ai thotë se serbët, shqiptarët dhe boshnjakët janë gjithashtu të përfshirë në krim, por se ata kanë mbështetje politike për aktivitetet e tyre ilegale në Beograd.

Si shembull për ekzistimin e lidhjes mes krimit dhe politikës, ai përmend Milan Radoiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe që, siç thotë ai, gëzon mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.“Kur analizojmë situatën e sigurisë në veri, kuptojmë se nuk është bëhet fjalë vetëm për krizën e fundit. Veriu i Kosovës, pra katër komunat në veri të Kosovës, si zonë ishin si një ‘vrimë e zezë’ në sundimin e ligjit. Është një zonë e karakterizuar nga një nivel i jashtëzakonshëm i kontrabandës së mallrave, ku kanë ndodhur në kontinuitet vepra të ndryshme kriminale dhe të pandëshkueshme”, thotë Sveçla, në një intervistë për median serbe “N1”.

Ai rikujton se në muajt e fundit policia e Kosovës ka zbuluar pesë laboratorë droge në veri, si dhe punëtori të mihjes së bitcoin-it që punonin në të zezë.

“Ne ndaluam dhjetë kamionë me mallra kontrabandë, veçanërisht mallra me akcizë dhe u përballëm me grupe të ndryshme kriminale që po përpiqeshin të ruanin këtë situatë kriminale. Ka një lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim e kam fjalën për lidhje multinacionale. Pra, sa herë i kemi arrestuar grupet kriminale, ato përbëheshin nga shqiptarë, serbë, boshnjakë, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, thekson Sveçla.

Ministri Sveçla shton se megjithatë është karakteristike se Qeveria e Serbisë jo vetëm që i toleron grupet e përmendura kriminale, por edhe i përkrah dhe i shfrytëzon për të bërë presion shtesë mbi popullatën vendase.

Si shembull i lidhjes mes krimit dhe politikës, ai veçon nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të SHBA-ve dhe të cilin drejtësia e Kosovës e ndjek sit ë dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Radoiçiq është një person që gëzon mbështetjen publike jo vetëm të Serbisë, por edhe të disa përfaqësuesve politikë të Kosovës, por në të njëjtën kohë është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së tij në krimin e organizuar. Kemi shumë dëshmi se, ndër të tjera, ai së fundmi ka hyrë ilegalisht në Kosovë. Kemi deklarata nga zyrtarë të Listës Serbe të cilët kanë thënë se Radoiçiq ka qenë në barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht dhe se ka qenë organizator dhe mbrojtës i këtyre barrikadave. Kjo do të thotë se ne kemi prova të mjaftueshme për aktivitetet e tij kriminale”, thotë Sveçla.Çështja, thotë ai, është se ekziston një mungesë e plotë e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve në Beograd dhe qeverisë në Prishtinë për ta sjellë Radoiçiqin para drejtësisë.

“Për t’i bërë gjërat edhe më keq, ai (Radoiçiq) gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë”, thotë Sveçla, transmeton telegrafi.

Në pyetjen se si hyn Radoiçiq në Kosovë, Sveçla thotë se “Kemi një vijë të gjatë kufitare me Serbinë dhe individë, sidomos ata që kanë lidhje me këto grupe që bëjnë kontrabandë mallrash, u është lehtësuar kalimi nga Serbia në Kosovë apo nga Kosova në Serbi. Kemi arritur të reduktojmë në minimum kontrabandën e mallrave me kamionë, por kalimi i paligjshëm i njerëzve, mendoj se është relativisht i lehtë”.

Ai shtoi se njerëzit në veri të Kosovës janë kryesisht paqësorë dhe duan të jetojnë nga puna e tyre, por se ka një problem.

“Duhet të kuptojmë një gjë, ajo zonë ishte si El Dorado për kriminelët. Kemi kriminelë që janë bërë multimilionerë nga shtresa e varfër apo e mesme, falë veprimtarisë kriminale që tolerohet në atë zonë prej më shumë se 20 vitesh. Kam marrë dhjetëra, në mos qindra, ankesa nga qytetarët atje, të cilët ishin nën presionin e grupeve kriminale. Nuk është se grupet kriminale duan vetëm të pasurohen, por me sjelljet e tyre arrogante dhe banditeske janë pengesë për jetën normale atje. Prandaj, imperativi ynë është vendosja e ligjshmërisë atje”, tha ministri kosovar.

Duke iu referuar ndalimit të hyrjes në Kosovë të gazetares ruse Daria Aslamova, Sveçla tha se ajo ka qenë objekt i vlerësimeve nga institucionet e sigurisë edhe para mbërritjes në Kosovë.

“Dihet se ajo është pjesë e shërbimit inteligjent rus, një person që është shpallur persona non grata në Ukrainë, Moldavi dhe Turqi. Janë të njohura lidhjet e saj me eksponentë të politikës ruse. Prandaj, është bazuar në shumë informacione të tjera, dhe mendoj se ka qenë një vendim legjitim dhe korrekt i institucioneve të Kosovës, se ky person është i papranueshëm për Kosovën”, tha ai.

Ai po ashtu ka vlerësuar se asgjë që Serbia po bën në lidhje me Kosovën nuk është në kundërshtim me autoritetet ruse, me ambasadorin rus dhe atashetë e tyre ushtarakë.

“Tani kemi një luftë aktive propagandistike të Rusisë sa i përket Kosovës. Në natën e tensioneve të shtuara, midis 31 korrikut dhe 1 gushtit, kjo fushatë propagandistike e lajmeve të rreme erdhi nga Moska, Beogradi dhe rrethe si Mitrovica veriore. Ndryshe, lajmet e rreme shkaktuan konfuzion dhe kjo e komplikoi edhe më shumë situatën, por tregoi edhe planet e rusëve apo eksponentëve prorusë në Beograd”, vlerësoi Sveçla.