Krasniqi: Veç pse komunat udhëhiqen nga opozita, po neglizhohen nga qeveria “Kurti”

Krasniqi: Veç pse komunat udhëhiqen nga opozita, po neglizhohen nga qeveria “Kurti”

Aktuale August 09, 2022 - 14:47

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vazhduar të akuzojë Qeverinë se nuk është bashkëpunuese dhe vepron me inate politike, duke shtuar se ka bllokuar buxhetin dhe projektet kapitale.

Ai më tej ka thënë se Kurti nuk plane konkrete dhe se në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, ai nuk ua ndan buxhetin komunave, si dhe flet për luftë, shkruan Zeri.info.

Krasniqi u shpreh se gjatë turit të vizitave që ka bërë në disa komuna, ka hasur në vështirësi të shumta sa i përket zbatimit të projekteve kapitale, që sipas tij vetëm pse udhëhiqen nga kryetarë të partive opozitare, po neglizhohen nga qeveria “Kurti”.

“Ato projekte që kanë gjetur zbatim, janë bërë me mjetet vetanake të komunave ose nga donacionet që kryetarët kanë arritur t’i marrin nga organizatat ndërkombëtare.

Tani, nëse Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në kuvendet e komunave – ajo me qëllim po e zvarrit realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës”, shkroi ai në Facebook.

Krasniqi, ndër të tjera, është shprehur se kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndryshojnë këtë qasje.

“Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët e komunave qeverisin njëjtë për të gjithë qytetarët e tyre, pa dallim. Jo si kjo Qeveri që i shërben vetëm klientelës, familjarëve e përkrahësve të tyre!”, përfundoi ai. /Zëri