Sveçla viziton veriun dhe policët që u sulmuan nga strukturat ilegale serbe

Sveçla viziton veriun dhe policët që u sulmuan nga strukturat ilegale serbe

Aktuale August 07, 2022 - 18:35


Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka qëndruar sot në pjesën veriore të vendit, gjegjësisht në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare.

Me këtë rast, Sveçla tha të jetë takuar me disa nga zyrtarët policorë të cilët janë ballafaquar me sulme të shumta nga strukturat ilegale serbe në mbrëmjen e 31 korrikut si dhe zyrtarë të tjerë policorë që po angazhohen në mbrojtje të kufirit.

"Siç kemi njoftuar, zyrtarët e kësaj pike kufitare janë sulmuar përsëri dje derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit", tha mes tjerash ministri.

Ai dha edhe statistika rreth sulmeve në veri që nga viti i kaluar. Sipas tij, atje kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policorë.

"Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi tek të gjithë zyrtarët policorë pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare. Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë", shtoi ai.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithë Qeveria e Kosovës, sipas Sveçlës, do të jenë me qytetarët dhe me institucionet e vendit me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies të secilit veç e veç dhe të gjithëve së bashku. /Zëri