Historiku i reciprociteti të Kosovës ndaj Serbisë
Republika e Kosovës jo rrallëherë ka aplikuar masa reciprociteti ndaj shtetit të Serbisë.
Vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe, janë në mesin e disa masave që ka aplikuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Masën e parë të reciprocitetit ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar në korrik të vitit 2011
Kjo masë në atë kohë ishte marrë nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pasi që Serbia për tre vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.Produktet me këtë vulë, nga dhjetori i vitit 2008, nuk janë lejuar as transit të kalojnë nëpër shtetin e Serbisë, pasi që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Parimi i reciprocitetit filloi të zbatohet në të gjitha pikat kufitare.
Por, gjendja ishte tensionuar më shumë në pjesën veriore të Kosovës, rajon ky i banuar me shumicë serbe, konkretisht në pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto pika, madje, janë djegur nga serbët lokalë në vitin 2008, si hakmarrje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Masa e reciprocitetit e parë e reciprocitetit nuk zgjati më shumë se 40 ditë, pasi gjatë bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, ishte arritur marrëveshje për njohje reciproke të vulave.
Më 2016 masa reciproke në transportin e naftës dhe gazit
Pesë vjet më pas, në muajin mars të vitit 2016, Kosova kishte vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë në transportin e naftës dhe të gazit. Kjo masë ishte marrë pasi autoritetet serbe nuk pranuan certifikatat (të njohura si ADR) që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, për shoferët dhe automjetet që bartin materie të rrezikshme.
Autoritetet e Kosovës atëbotë pohonin se Serbia po e shkel marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA.
Kjo marrëveshje ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e CEFTA-s në vitin 2007.
Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.
Reciprociteti në tekstet shkollore
Po në vitin 2016 edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e udhëhequr nga Arsim Bajrami, pati vendosur masa të reciprocitetit ndaj Serbisë në lidhje me tekstet shkollore në gjuhën serbe.Autoritetet serbe në atë kohë kishin kthyer mbrapsht një kamion me rreth 100 mijë tekste shkollore të Kosovës, duke mos lejuar të dërgohen në komunat e banuara me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës.
Më 2020 masa reciprociteti ndaj mallrave serbe
Katër vjet pas kësaj, në vitin 2020, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kishte vendosur masa reciprociteti ndaj mallrave serbe.Më 31 mars të këtij viti, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, vendosi që emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe dokumente të tjera përcjellëse, të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.
Ky vendim nxiti kundërshtim në Serbi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkim Evropian.
Qeveria Kurti 1 ra pas 51 ditësh në pushtet, kur Lidhja Demokratike e Kosovës me mocion të mosbesimit, e rrëzoi atë. Më 3 qershor të vitit 2020, u krijua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.Hoti e shfuqizoi vendimin për reciprocitetin në ditët e para të punës së tij, duke deklaruar se kështu u larguan pengesat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në Kosovë më 14 shkurt 2021, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe më 22 mars u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë, u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeministri Kurti kishte thënë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.
Reciprociteti me letra ngjitëse
Më 20 shtator 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti vendosi masat e reciprocitetit për targat e Serbisë.
Kundër këtij vendimi, edhe atëherë serbët lokalë për dy javë kishin bllokuar dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Afër këtyre pikave patën qëndruar edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Për shtensionimin e situatës, Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje në Bruksel, për vendosjen e letrave ngjitëse në vetura që kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.Sipas kësaj marrëveshjeje, njësitet speciale policore të vendosura në vendkalimet kufitare janë larguar së bashku me barrikadat, shkruan REL-i.
Kurse, më 4 tetor 2021, Kosova dhe Serbia kishin filluar vendosjen e letrave ngjitëse në targat e automjeteve që kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.
Vendimi i fundit - gusht 2022
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia –t’i riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).
Po ashtu, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.
Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për qytetarët e Kosovës për vite me radhë.Për shkak të këtij vendimi, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik, vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak. Këto dy pika janë mbyllur për qarkullim nga Policia e Kosovës.
Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e këtyre vendimeve deri në shtator, por shtyrja do të aplikohet nga momenti kur të hiqen bllokadat.
Serbët lokalë kanë filluar tërheqja e automjeteve që ishin vendosur në veri.