
Tre persona rrahin imamin e xhamisë në Lupç të Podujevës, dërgohet në gjendje të rëndë në spital
Imami i xhamisë së fshatit Lupç i Poshtëm në komunën e Podujevës, Zeqir Berisha, është sulmuar fizikisht nga tre persona të dyshuar.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila kanë bërë të ditur se Berisha si pasojë e lëndimeve të rënda që ka marrë është dërguar në spital për tretman mjekësor.
Po ashtu lidhur me rastin janë arrestuar tre persona të moshave nga 25 deri në 28 vjeç.
“Mbrëmë rreth orës 22:00 Policia ka marrë informacionin se në fshatin Lupç i Poshtëm i Podujevës është gjetur një person i lënduar rëndë. Personi i lënduar Z.B., mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritur të arrestojnë tre persona të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. /sinjali