Kurti bisedon me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së përmes Zoom-it

Kurti bisedon me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së përmes Zoom-it

Aktuale July 22, 2022 - 08:50

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka biseduar virtualisht me mbrojtjen e të akuzuarve të Gjykatës Speciale, të cilët ndodhen tash e sa muaj në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kanë zgjedhur metoda të ndryshme për t’u interesuar për çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë, raporton sinjali.

Kryeziu ka thënë se Kurti ka zgjedhur që përmes një bisede virtuale nëpërmjet platformës “Zoom” të bisedojë me mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe të interesohet për atë se çfarë po ndodh atje.

“Kryeministri Kurti ka pasur një bisedë virtuale nëpërmjet ‘Zoom’-it me mbrojtjen e të akuzuarve atje. Kjo ka qenë forma të cilën kryeministri Kurti e ka përzgjedhur për të shprehur interesimin e tij me atë se çfarë po ndodhë atje. Në anën tjetër ju e dini që është kryeparlamentari ynë, zoti Konjufca që i ka vizituar në kuadër të një arsyeshmërie fortë logjike i kreu i Kuvendit meqë Gjykata Speciale si rezultat është produkt, prodhim i Kuvendit dhe i ka dhënë një intervistë pas vizitës së tij dhe i ka dhënë përshtypjet e tij”, tha ai.

Tutje Kryeziu tha se kryeministri dhe kryeparlamentari i kanë zgjedhur metodat e tyre për t’u interesuar se çfarë po ndodh në Gjykatën Speciale.

“Si kryetari i Kuvendit, si kryeministri i Republikës së Kosovës kanë zgjedhur metodat e tyre të interesimit me atë se çfarë po ndodh në Gjykatën Speciale”, tha zëdhënësi i Qeverisë në Tëvë1.