“Admovere”: “Edukata qytetare 9” shkruhet nga plagjiatorët Bezeraj e Dugolli, MASHTI ua miraton
Foto: Laura Hasani

“Admovere”: “Edukata qytetare 9” shkruhet nga plagjiatorët Bezeraj e Dugolli, MASHTI ua miraton

Aktuale July 19, 2022 - 11:34

Organizata “Admovere”, që monitoron sistemin edukativo-arsimor në Kosovë, në një deklaratë të lëshuar sot thotë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka miratuar një tekst shkollor me autorë plagjiatë.

Sipas “Admovere”-s, MASHTI ka miratuar tekstin shkollor “Edukatë qytetare 9” me autorë Selim Bezeraj dhe Bujar Dugolli, që tashmë janë denoncuar si plagjiatorë.

“Më 26 maj 2022 Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) publikoi vendimin me numër të referencës 01/B 1161, ‘Lista përfundimtare e teksteve shkollore për klasat 4 dhe 9’, në të cilin ‘prezantohen vlerësimet e dorëshkrimeve sipas recensentëve për secilën klasë dhe lëndë’. Sipas këtij vendimi, për lëndën Edukatë qytetare për klasën e IX komisioni recensues i ka vlerësuar katër (4) tekste, si vijon: tekstin e shtëpisë botuese ‘Dukagjini’ me 2.17 pikë, tekstin e shtëpisë botuese ‘Libri shkollor’ me 2.14 pikë, tekstin e shtëpisë botuese ‘Albas’ me 3.57 pikë dhe tekstin e shtëpisë botuese ‘Irisoft’ me 3.24 pikë. Në tekstin shkollor ‘Edukatë qytetare 9’ të shtëpisë botuese ‘Irisoft’, autorë të të cilit janë Alba Kreka, Selim Bezeraj dhe Bujar Dugolli, shënohet se teksti është ‘miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit’”, thuhet në njoftimin e “Admovere”-s.

Organizata në fjalë kujton se ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim) ka dorëzuar prova në Këshillin e Etikës së UP-së për plagjiaturën e profesorëve Bezeraj e Dugolli.

“Admovere” e ka cilësuar si skandaloz vendimin e MASHTI-t për të miratuar tekstin shkollor, duke u bërë thirrje mësimdhënësve dhe prindërve që ta refuzojnë librin.

“Duke i pasur parasysh faktet e sipërpërmendura, ‘Admovere’ shpreh indinjatën më të skajshme lidhur me një vendim të tillë të MASHTI-t. Tekstet shkollore nuk duhen parë si mundësi e rehabilitimit të plagjiatorëve, të cilët nuk përfaqësojnë as kredenciale morale e as akademike. Një vendim i tillë, që nxënësve të klasës së IX ua servon librin e Edukatës Qytetare, bashkautorë të të cilit janë dy plagjiatorë, Bezeraj dhe Dugolli, është qartë skandaloz dhe i papranueshëm. ‘Admovere’ është thellësisht e tronditur dhe e zhgënjyer me këtë vendim të MASHTI-t dhe fton mekanizmat kompetentë ta rishikojnë sa më shpejt që është e mundshme. Gjithashtu, u bëjmë thirrje mësimdhënësve të Edukatës qytetare, prindërve e nxënësve të klasës së IX që ta refuzojnë prerazi këtë libër. Ne do të përcjellim nga afër hapat e mëtejmë të MASHTI-t karshi këtij libri, sepse nuk mund të lejojmë që të legjitimohet plagjiatura”, thuhet ndër të tjera.

Linkun mund ta gjeni më poshtë:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid02dpuuGJreKp7isk3a6aHnkxFMG35iUk9k6sAXiAFG1r4PM3WCPYadVXQgMdLLrpG6l&id=122781901770408