Kryetari i Deçanit për raportin e “Europa Nostra”-s: I pabazuar në fakte

Kryetari i Deçanit për raportin e “Europa Nostra”-s: I pabazuar në fakte

Aktuale July 15, 2022 - 10:15

Raporti i organizatës “Europa Nostra”, ku thuhej se Manastiri i Deçanit është i rrezikuar, ka nxitur reagime të shumta të institucioneve të Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, shkruan Zeri.info.

Ramosaj tha se vlerësimi i “Europa Nostra”-s është i pabazuar dhe se sipas tij nuk përket me realitetin në komunën e Deçanit.

“E themi me bindje që ‘Europa Nostra’ nuk u është referuar në asnjë moment raporteve zyrtare të nxjerra nga mekanizmat relevante të sigurisë, përfshirë KFOR-in si përgjegjës i drejtpërdrejtë në këtë zonë, i cili i është prezantuar delegacionit të ‘EuropaNostra’-s gjatë takimit në komunën e Deçanit.

Vlerësojmë se ‘EuropaNostra’ është dashur që të trajtojë me më kompetencë dhe profesionalizëm aspektin e sigurisë juridike, duke iu referuar organizatave ndërkombëtare që në mandatin e tyre e kanë monitorimin për zbatimin e ligjshmërisë siç është OSCE-ja, BE-ja, KZM-ja si trupë monitoruese dhe dokumenteve relevante të cilat i posedon komuna e Deçanit”, thuhet në reagimin e Ramosajt.

Ai më tej ka thënë se është i indinjuar për faktin se një organizatë si “Europa Nostra” pa u bazuar në fakte shpall Manastirin e Deçanit si një ndër shtatë objektet kulturore të rrezikuara.

“E themi me përgjegjësinë më të lartë që objektivat dhe qëllimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të komunës së Deçanit janë paqësore, objektiva të zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës së harmonizuar, duke respektuar, mbrojtur e njohur vlerat e kujtdo qofshin në këtë shtet e në veçanti të Manastirit në fjalë”, shtoi ndër të tjera ai. /Zëri