Plazhet publike në Vlorë të ndotur, pushuesit: Nuk ka investime, deti është i mbushur me mbeturina
Teksa zonat më të mira i ka zaptuar privati, për qytetarët e Bashkësisë së Vlorës ka përcaktuar pa pagesë plazhet ku pranë tyre derdhen ujërat e zeza.
Plazhi i vjetër i qytetit edhe këtë vit është i ndotur.
“Falënderojmë Bashkinë Vlorë që na e ka lënë plazhin 10 metra larg nga derdhja e ujërave të zeza. Se na bën mirë, meqë është doktor dhe ai (kryetari) dhe e di”, thotë një pushues.
Aty, përmes këtyre kanaleve përfundojnë ujërat e zeza. Megjithatë pushues ka. Frekuentohet zakonisht nga ata që nuk e kanë mundësinë të paguajnë në plazhet private.
“Këtu ishte si vaj i verdhë i gjithë bregu i detit. Në det nuk hyn dot duhet ta largosh me duar. Problem që duhet të hiqet një orë e më parë. Dhe e dyta, duhet të vendosen koshat e plehrave”, thotë një pushues tjetër.
“Ambienti është përtokë. Është gjynah të përfaqësohet tek turistët, në këtë gjendje, Vlora kaq e bukur. Është skandaloze”, shtojnë pushuesit.
Ata i frikësohen marrjes së infeksioneve ndaj preferojnë të qëndrojnë vetëm në rërë duke marrë reze.
“Shumë e rrezikshme, por jemi pleqëri dhe themi të futim këmbët pak në rërë. Të gjithë ujërat janë të infektuar”, theksojnë ata.
Zgjidhja e problemit dhe rehabilitimi i zonës është premtuar ndër vite nga drejtuesit e Bashkisë por situata çdo verë mbetet e njëjtë.
“Kanë 10 vite që thonë do ti heqim dhe nuk i heqin dot”, përfundon një pushuese.
Përveç plazhit të vjetër i ndotur nga ujërat e zeza po ashtu është edhe vija bregdetare pranë ish akademisë së Marinës. /Ora News/