Bie interesi për vaksinim, brenda ditës më pak se 10 persona të interesuar
Ka rënë numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë të vaksinohen për Covid-19. Në raportet e fundit të institucioneve shëndetësore, shifrat sillen në rreth 50 raste të vaksinuar në ditë ndërkohë që numri i të infektuarave është afërsisht i njëjtë.
Numri më i ulët i rasteve të lajmëruara me Covid-19 ka relaksuar qytetarët. Madje në qendrat e vaksinimit të cilat janë vetëm nga një për secilin qytet, ka pak interesim për vaksinim. Në kryeqytet brenda ditës lajmërohen më pak se 10 persona brenda të dy ndërrimeve sa punon kjo qendër.
“Nuk është interesimi sikur në fillim… Brenda ditës vijnë 5 apo 6 raste dhe jo më shumë …”, tha Florina Ushaku Grezda, mjeke familjare në QKMF në Prishtinë.
E përafërt është gjendja edhe në qendrën e vaksinimit në komunën e Malishevës.
“Ka ra numri I qytetarëve për tu vaksinuar sepse ka ra edhe numri I të infektuarve dhe numri I atyre që marrin vaksina sillet në 5 raste në ditë”, tha Shkëlzen Sahitaj, Shef i shërbimit të vaksinimit në Malishevë.
Numër i vogël i qytetarëve është edhe në qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë marrë parasysh se aty ndalojnë të marrin vaksinë edhe ata që udhëtojnë.
“Është specifike se ka qytetarë që vijnë nga aeroporti për t’u vaksinuar por edhe përfshirë këto raste numri brenda javës sillet nga 15-20 qytetarë në ditë” , Fitnete Simnica Ferizi, Koordinatore e QVC-së Fushë Kosovë.
Lakorja e rasteve të regjistruara me COVID 19 ka përparuar ditët e fundit. Por jo edhe e të vaksinuarve. Tabelat që ka përcjellë Ministria e Shëndetësisë për 5 ditët e fundit flasin për numër të ulët të personave të vaksinuar derisa më 20 qershor nuk kishte asnjë qytetar të vaksinuar në gjithë territorin e Kosovës.