Osmani takohet me kryeministrin tajlandez, flasin për forcim marrëdhëniesh

Osmani takohet me kryeministrin tajlandez, flasin për forcim marrëdhëniesh

Aktuale June 24, 2022 - 13:18

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin fokusi i bisedës ishte forcimi i marrëdhënieve ndërshtetërore.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se Osmani ka falënderuar kryeministrin e Tajlandës për mbështetjen e këtij shteti ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Presidentja ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës, ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore”, thuhet ndër të tjera, shkruan Zeri.info.

Osmani po ashtu i ka prezantuar atij edhe potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj, duhe veçuar popullësinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor.

“Për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, presidentja Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve”, thuhet ndër të tjera. /Zëri