Po vazhdon të rritet numri i pacientëve me sëmundje pulmonare në Kosovë
65 pacientë aktualisht po marrin trajtim në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa shqetësuese mbetet rritja e numrit të pacientëve me sëmundje pulmonare.
Këtë e ka bërë të ditur pulmologu Flamur Marku. Ai ka thënë se pacientët që marrin trajtim në këtë klinikë vazhdojnë të kenë komplikime, qoftë të tuberkulozit të mushkërive ose rritja e rasteve të cilët janë me kancer të mushkërive.
“Aktualisht janë të spitalizuar 65 pacientë dhe janë plotësisht kapacitet e mundshme. Për çdo ditë lirohen pacientët të cilët janë në gjendje më të mirë shëndetësore. Nuk kemi raste të cilat janë të konfirmuara me covid pozitiv që trajtohen të shtrirë në klinikë. Kemi pasur raste të cilat në ambulatore kanë rezultuar pozitivë, kanë marrë terapinë ambulatore ose janë orientuar në klinikën infektive rastet që kanë pasur nevojë për hospitalizim”, tha ai për EO-në.
“Realisht është një situatë mjaft e rënduar sepse kërkesat dhe rastet post-covid dhe komplikimet pulmonare qoftë tuberkulozi i mushkërive apo rritja e rasteve të cilët janë me kancer të mushkërive kanë bërë që kapacitet tona të jenë plotësisht të mbushura çdo ditë. Por problemin e kemi me vende sepse nuk kemi vende mjaftueshëm sa janë kërkesat që të pranohen pacientët por mundohem që të bëjmë ekzaminim që pacientët të lirohen dhe të jetë i mundur pranimi i pacientëve të rinj”, tha Marku.