Sveçla viziton Katarin, dakordohen për bashkëpunim mes policive të dy vendeve

Sveçla viziton Katarin, dakordohen për bashkëpunim mes policive të dy vendeve

Aktuale May 26, 2022 - 14:31

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ftesë të kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, po qëndron në vizitë në Katar, për të marrë pjesë në panairin “Milipol 2022”. 

“Në shoqërim të kryeministrit të Katarit dhe të ministrave e zyrtarëve të tjerë nga vende të tjera, ministri Sveçla ka marrë pjesë në inaugurimin e panairit ‘Milipol 2022’, ku është njoftuar për pajisjet e teknologjisë së fundit në fushën e sigurisë.

Gjatë takimit me drejtorin e Sigurisë Publike, gjeneralmajor Saad bin Jassim Al Khulaifi, Sveçla ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës dhe të Katarit”, thuhet në njoftim, raporton Zeri.info.

Në këtë kuadër, është arritur pajtimi që dy palët të shkëmbejnë vizitat dhe të fuqizojnë bashkëpunim në çdo fushë, me theks të veçantë në sektorët që kanë të bëjnë me sigurinë publike.

“Gjatë qëndrimit në Doha, Sveçla ka vizituar edhe Qendrën Komanduese Kombëtare (NCC), Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, Institutin e Policisë, Qendrën e Forcës së Sigurisë së Brendshme (Lekhwiya) dhe Qendrën e Mbrojtjes Civile.

Gjatë vizitës në Qendrën Komanduese Kombëtare (NCC), ministri Sveçla është pritur nga brigadieri Khalifa Abdullah Al Nuaimi, i cili e ka njoftuar për detyrat dhe rolin e kësaj qendre. Gjithashtu, Sveçla është njoftuar me sistemet e teknologjitë e fundit që përdor kjo qendër dhe me përgatitjet e saj për të siguruar mbarëvajtjen e kupës së botës ‘FIFA 2022’, që këtë vit mbahet në Katar”, thuhet në njoftim. /Zëri