Policët e Kosovës nisen drejt Tiranës për t’u dalë në ndihmë kolegëve shqiptarë

Policët e Kosovës nisen drejt Tiranës për t’u dalë në ndihmë kolegëve shqiptarë

Aktuale May 25, 2022 - 18:14

Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për ndeshjen Roma-Feyenoord e cila do të luhet sonte në Air Albania, duke filluar në orën 21:00.

E për të bërë të mundur mbarëvajtjen e finales evropiane dhe sigurinë e qytetarëve, Policia shqiptare do të jetë në gatishmëri të plotë, megjithatë në mbështetje të Policisë Shqiptare për mbarëvajtjen e rendit do të jenë edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për RTKlive se Policia e Kosovës do të dërgoj disa zyrtar policorë në Tiranë, ndihmë Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen e rendit .

“Referuar bashkëpunimit të ndërsjellët në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, si dhe referuar ndeshjes sportive e cila pritet të mbahet sot, Policia e Kosovës do të dërgoj disa zyrtar policorë në Tiranë”, ka thënë Kelani për RTKlive.

Ai tha se duke marrë shkas edhe nga incidenti i ndodhur mbrëmjen e 24 majit, ku 19 efektivë policie u plagosën si pasojë e përplasjes mes një grupi tifozësh italianë dhe një grupi tifozësh holandezë, Policia e Kosovës do t’i vijë në ndihmë Policisë së Shqipërisë.

Ndryshe, Policia e Shtetit të Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash për ndeshjen që do luhet sonte, sikurse është garantimi i rendit publik në dy “Fan Zonat” ku do të qëndrojnë një pjesë e mirë e sportdashësve të të dy ekipeve.

Sipas Policisë së Shtetit gjatë lëvizjes së tyre nga “Fan Zona” në stadium dhe largimin në përfundim të ndeshjes; organizimin e pikave të kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium, në rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe tek kolonat në sheshin “Italia”.

“Po ashtu mbështetjen e stjuartëve gjatë kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium; organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës; sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës; menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit etj”, vlerëson Policia e Shteti Shqiptar.