Bislimi: Aplikimi në Këshillin e Evropës, i koordinuar me miqtë ndërkombëtarë

Bislimi: Aplikimi në Këshillin e Evropës, i koordinuar me miqtë ndërkombëtarë

Aktuale May 16, 2022 - 11:29

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hapi mbledhjen e sotme të Qeverisë duke folur kryesisht për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, të cilin e cilësoi si hap të rëndësishëm përpara.

Bislimi përmendi edhe benefitet e Kosovës nga anëtarësimi në këtë organizatë, gjë që sipas tij do të ndikojë për mirë edhe në gjyqësorin e vendit.

“Pas anëtarësimit, qytetarët tanë do ta kenë edhe një instancë evropiane për t’i adresuar çështjet e tyre. Kjo do të jetë në të mirë të tyre dhe do të ketë ndikim në funksionimin e gjyqësorit në vend”, tha ai.

Bislimi tha se aplikimi ka qenë “i koordinuar me miqtë e Kosovës”, ndërsa theksoi se “Qeveria do të punojë me përkushtim hap pas hapi” në këtë proces.

Zëvendëskryeministri u shpreh optimist se të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës të cilat e njohin Kosovën do ta mbështesin atë në këtë proces. Bislimi po ashtu beson se vendet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës nuk do ta pengojnë anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.