Komuna e Rahovecit organizon vizitë në shtëpinë-muze të Ukshin Hotit

Komuna e Rahovecit organizon vizitë në shtëpinë-muze të Ukshin Hotit

Aktuale May 16, 2022 - 09:35

Me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së intelektualit Ukshin Hoti, Komuna e Rahovecit ka njoftuar se do të organizohet një vizitë në shtëpinë-muze të tij.

Vizita është planifikuar të bëhet nga ora 11:00, me ç’rast Komuna e Rahovecit ka ftuar veprimtarët e çështjes kombëtare, përfaqësuesit e pushtetit lokal e qendror në këtë vizitë.

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, më 16 maj të vitit 1999 ishte liruar nga Burgu i Dubravës dhe që nga ajo ditë rezulton si i zhdukur.

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me 5 vjet burg.

Ukshin Hotin në 23-vjetorin e zhdukjes së tij e ka përkujtuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se liria do të ketë kuptim vetëm kur fati i tij dhe i të zhdukurve të tjerë me dhunë të zbardhet, krahas me vendosjen e drejtësisë. /Zëri