Opozita e qytetarët kundër testimit të rrugëve njëkahore, Komuna: Gjithçka po funksionon mirë

Opozita e qytetarët kundër testimit të rrugëve njëkahore, Komuna: Gjithçka po funksionon mirë

Aktuale April 23, 2022 - 17:53

Komuna e Prishtinës sot ka filluar me realizimin e testimit që unaza qëndrore e Prishtinës të jetë rrugë njëkahore.

Kjo unazë përfshinë rrugët si: “Agim Ramadani”, “UÇK”, “Migjeni”, “Luan Haradinaj”, “Garibaldi”, “George Bush” dhe “Eqrem Çabej”.

E lidhur me këtë testim kanë reaguar edhe shumë krerë të politikës si dhe qytetarë, por edhe zyrtarë të Komunës.

Opozita duket se është bashkuar sa i përket testimit të shndërrimit të unazës qëndrore në njëkahore.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që kryetari Rama ta anulojë menjëherë këtë vendim.

“Ky veprim, duhet të anulohet nga kryetari Rama në mënyrë që t’u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”, ka thënë Tahiri.

Kurse, gjatë konferencës së PDK-së, Vlora Çitaku në mënyrë ironizuese shprehu qëndrimin për këtë testim, duke ju drejtuar gazetarëve me pyetjen “A mujtët me ardhë nëpër rrugët njëkahëshe”, raporton Zeri.info.

Kurse partitë e tjera ende nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim sa i përket këtij testimi.

Në anën tjetër ky eksperimet i Komunës ka shkaktuar kolona të gjata, si dhe qytetarët përmes borive janë munduar që të protestojnë këtë ide.

E disa qytetarë kanë folur edhe për media, duke shprehur pakënaqësinë e tyre.

“Jo hiq nuk po funksionon prej Shqipërie me pa ardh ma mirë e kish ndreq. Sot ekstrem tollovi po me qenë e hane a e llogarit çka bahet. Të hënën duhet me llogarit se nesër përballohet. Kjo është katastrof”, ka thënë një qytetar.

Kurse një tjetër ka thënë se kjo nuk mund të funksionojë në Prishtinë.

“Dola prej Velanisë ke shumë keq u dasht mu sjellë ka rruga Hani i Dilit, Dragodan e me ardh deri këtu. Ka rruga Hani i Dilit ke shumë tollovi. S’ma merr menja që funksionon në Prishtinë”, tha qytetari tjetër.

Mirëpo, pavarësisht këtyre kritikave dhe pakënaqësive ndaj këtij eksperimenti, zyrtarët komunalë vazhdojnë të thonë se kjo është ajo çka i duhet Prishtinës.

Këshilltari për Çështje të Sigurisë në Komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj ka thënë se testimi i qarkores njëkahore në Prishtinë është duke rrjedhur mirë dhe sipas planit. /Zëri