Popullsia rurale në Shqipëri bie me 4 për qind
Tranzicioni demografik në vend është shndërruar në një problematikë për forcën e punës në të gjithë sektorët e ekonomisë në vend, por bujqësia mbetet më e rrezikuara, pasi popullsia në zonat rurale është duke u tkurrur me ritme më të shpejta se popullsia totale për shkak të emigracionit të lartë dhe migrimit të brendshëm.
Ministria e Bujqësisë në një strategji për zhvillimin e sektorit në 5 vitet në vijim, e cilëson si një sfidë që kërkon zgjidhje emergjente, kapitalin njerëzor në fshat.
Të dhënat mbi popullsinë tregojnë se popullsia rurale llogaritet në 964,791 banorë në vitin 2019. Përqindja e popullsisë rurale ka rënë vazhdimisht nga 42,57% në vitin 2015 në 38,89% në vitin 2019, e shkaktuar nga migrimi jashtë dhe përgjithësisht nivelet më të ulëta të lindjeve. Popullsia në zonat rurale ra me rreth 4% ndërmjet periudhës 2015-2019, përkundrejt -1.3 % të popullsisë së përgjithshme
Gjithashtu banorët e zonave rurale vijojnë të tërhiqen kryesisht nga zonat urbane, pasi shkalla e urbanizimit është në rritje pavarësisht nga një rënie e përgjithshme e popullsisë.
Sipas parashikimeve, popullsia shqiptare do të ulet me 100,000 njerëz në rreth 2.75 milionë në vitin 2031 krahasuar me vitin 2020, e cila do të jetë kryesisht në zonat rurale, duke zgjeruar më tej hendekun e madh social-ekonomik midis zonave urbane dhe rurale pa kundërmasa.
Këto lëvizje po çojnë në një plakje të shpejtë të popullsisë në fshat, duke rrezikuar zhvillimin e bujqësisë me ritmet e tanishme duke qenë se sektori është pa mekanizim dhe i mbështetur në krahun e lirë të punës.
Gjithashtu popullsia rurale që jeton në fshat është më ekspozuar ndaj varfërisë, pasi sipas Anketës së të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës privimi i rëndë material vlerësohet në 38.3%.
Disponueshmëria dhe cilësia e infrastrukturës rurale dhe shërbimeve bazë janë ende dukshëm më të ulëta në zonat rurale, dhe veçanërisht në zonat e thella dhe malore, të cilat vuajnë nga furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike, mungesa e aksesit në ujë të pijshëm , në rrjetin rrugor dhe në internet.
Nga ana tjetër Forca e punës është një faktor kyç për produktivitetin. Të dhënat e ILOSTAT-it për vitin 2019 tregojnë se bujqësia angazhon 460,600 punonjës, që do të thotë 36.4% nga fuqia totale e punës raportohen si të punësuar në bujqësi. Mosha mesatare e lartë e fermerëve dhe mungesa e pasardhësve të gatshëm për të vazhduar punën në bujqësi paraqet një kërcënim për fuqinë punëtore në të ardhmen e afërt.
Sipas konkluzioneve të OECD-së, punonjëset gra në bujqësi, të cilat përbëjnë rreth 43% të fuqisë punëtore bujqësore në vendet në zhvillim, janë të mbi-përfaqësuara në punë sezonale ose me kohë të pjesshme të papaguara dhe me pagesë të ulët dhe kështu ka gjasa të mbeten jashtë sistemeve të mbrojtjes sociale.
Aktualisht, kostoja e fuqisë punëtore në Shqipëri është 10 herë më e ulët se mesatarja e BE-së, ndërkohë që pagat në bujqësi janë nën mesataren kombëtare. Kështu, kostot e fuqisë punëtore mund të konsiderohen të lira, por megjithatë akoma jo të aftë për të zëvendësuar produktivitetin e makinerive.
Bujqësia po humbet gradualisht fuqinë punëtore, siç tregohet në anketat e INSTAT (p.sh. Anketa Tremujore e Forcës së Punës të kryer nga INSTAT për tremujorin e tretë 2020 krahasuar me tremujorin e tretë 2019) se norma vjetore e rritjes së punësimit në bujqësi ishte me minus -3.7 %, vlerë kjo më e ulët në krahasim me të gjithë sektorët e tjerë ekonomikë. Migrimi i të rinjve po kërcënon të ardhmen e tregut të punës, digjitalizimin e përmirësuar të bujqësisë dhe aksesin në inovacion. Monitor.