Zyrtarizohet marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë

Zyrtarizohet marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë

Aktuale April 06, 2022 - 21:57

Sot është nënshkruar zyrtarisht marrëveshja mes Gjermanisë dhe Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Marrëveshja është nënshkruar në Gjermani mes Sekretarit Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale dhe Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, transmeton Zeri.info.

Sveçla me këtë rast ka thënë se ky është një nga proceset më të rëndësishme por edhe lehtësuese për mërgatën.

"Sot kam nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për njohjen reciproke të patent shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë. Me kënaqësi e kam pranuar ftesën nga Z. Oliver Luksic, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, duke pasur parasysh që ky është një nga proceset më të rëndësishme por edhe lehtësuese për mërgatën tonë", ka shkruar ministri Sveçla.

"Mërgata jonë ka dhënë shumë për vendin tonë por edhe në shtetet ku ata jetojnë. Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë së mërgatës sonë është para se gjithash obligim i yni, i cili duhet arritur bashkë me aleatët tanë, në të gjitha vendet ku ata veprojnë.

E falënderova z. Luksic për gatishmërinë për të arritur këtë marrëveshje, por edhe për vullnetin për të eliminuar sfidat eventuale që mund të dalin gjatë zbatimit të saj.

Ambasada jonë në Berlin dhe gjashtë misionet tona konsullore në Gjermani, janë të angazhuara maksimalisht në asistimin e qytetarëve për procedurat që duhet të ndiqen për të konvertuar patent shoferët e Republikës së Kosovës. Vozitje të mbarë e të sigurtë!", ka shkruar Sveçla. /Zëri