INPO-ja gjen parregullsi në emrat e rekomanduar për bord të OSHP-së
Organizata INPO ka shprehur shqetësimin për, siç thotë, shkeljen e parimeve të konkurrencës,barazisë dhe meritrokracisë nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me konkursin publik për kandidatë për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Sipas kësaj organizate, në raport Komisioni Përzgjedhës ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me cilësinë e kandidatëve që kanë konkurruar dhe në vijë me këtë shqetësim i ka rekomanduar Qeverisë që të shohë mundësinë e propozimit edhe të kandidatëve të tjerë që mund të jenë më të përgatitur për këto pozita.
“Rrjedhimisht ky është rekomandim që Qeveria të përjashtojë procedurat e konkurrimit dhe të marrë kandidatë që subjektivisht mendon që janë meritorë dhe të duhur, pa u nënshtruar fare në procedura të konkurrimit. Pas këtij rekomandimi, Qeveria nga njëzetë e dy (22) kandidatë, përzgjedh vetëm shtatë (7) prej tyre, ndërsa tre (3) futen në listë pa asnjë procedurë të konkurrimit, duke dërguar për në Kuvend gjithsej dhjetë (10) kandidatë, përkatësisht nga dy (2) kandidatë për secilën pozitë”, thuhet në reagimin e INPO-s.
Kandidatët e dërguar për në Kuvend, sipas INPO-s, nuk janë zgjedhur sipas pikëve të marra.
“Kandidatët e dërguar për në Kuvend janë: z. Vedat Poterqoi, i cili është vlerësuar me më së shumti pikë nga Komisioni Përzgjedhës, gjithsej 8.8 pikë, pastaj anashkalohen tre (3) kandidatë që kishin 8.1, 7.9 dhe 7.7 pikë dhe propozohet z. Faruk Rexhaj me 7.4 pikë, pastaj anashkalohen edhe dy (2) kandidatë, njëri që kishte po aq pikë sa kandidati i përzgjedhur, gjithsej 7.4 dhe tjetri 7.3, ndërsa rekomandohen kandidatët z. Bujar Lushaku me 7.1 pikë dhe z. Batisha Ibrahimi me 6.8 pikë. Pas kësaj anashkalohen nëntë (9) kandidatë që për nga numri i pikëve ishin më lartë përkatësisht 6.2, 5.6. 5.6, 5.3, 5.2, 5.2, 4.8, 4.6, dhe 4.2 pikë dhe rekomandohet znj. Dafina Gashi me 4.1 pikë, pas kësaj anashkalohet një kandidat me 4 pikë dhe rekomandohen dy kandidatë, përkatësisht znj. Vjosa Gradinja – Mexhuani me 3.6 pikë dhe znj. Kimete Gashi – Brajshori me 3.2 pikë”, thotë INPO.
Organizata vlerëson se anashkalimi i kandidatëve, të cilët kanë konkurruar dhe nga Komisioni Përzgjedhës janë poentuar më shumë se sa kandidatët e përzgjedhur si dhe futja në listë e personave që fare nuk kanë marrë pjesë në konkurs, “është cenim i rëndë i praktikës së ndjekur deri më tani në procedura të rekrutimit të kryetarit dhe anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit”, dhe që sipas tyre, cenohen rëndë parimet e barazisë, konkurrencës dhe meritrokracisë dhe si të tillë të gjithë procesin e bën subjektiv të anshëm e politik.
INPO në fund i ka bërë thirrje Qeverisë që edhe një herë ta rishqyrtojë këtë listë dhe në Kuvend të dërgohen persona meritorë, që kanë përvojën e duhur dhe që i janë nënshtruar një procesi konkurrues të paanshëm e të pavarur. /Zëri