
Kush mund ta konvertojë patentën e shoferit të Kosovës me të Gjermanisë
Sot Bundesrati gjerman votoi me shumicë votash pro nënshkrimit të marrëveshjes së njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani Faruk Ajeti, ka bërë me dije se kjo marrëveshje e cila sot u votua në Bundesratin gjerman do të hyjë në fuqi pas dy javëve, kur të botohet në gazetën zyrtare të Gjermanisë.
“Pas dy jave qytetarët e Kosovës që jetojnë prej vitesh në Gjermani kanë të drejtë t’u drejtohen organeve përkatëse dhe institucioneve gjermane për konvertimin e patentë shoferëve kosovarë”, tha ambasadori Ajeti për televizionin publik.
Ai tutje sqaroi dy elemente të rëndësishme për konvertimin patentë shoferëve kosovarë për mërgimtarët që jetojnë në Republikën Federale të Gjermanisë.
“Të gjithë patentat që janë lëshuar prej datës 1 mars 2018, do të konvertohen pa asnjë procedurë shtesë, ndërsa për poseduesit e patentave që janë lëshuara para datës 1 mars 2018, duhet të paraqiten tek organet e landeve, pastaj ato përmes rrugëve institucionale pyesin palën kosovare për validitetin e patentës për konvertim”, tha ai.
Sipas tij kjo rregullore do të vlejë për shtetasit kosovarë që kanë një vendbanim në Gjermani dhe të cilët e kanë marrë patenshoferin kosovar para së të vinin në Gjermani, ndërsa ata qytetarë të Kosovës që kanë ardhur në Gjermani pa patentshofer dhe që e kanë të rregulluar qëndrimin në Gjermani nuk mund të marrin patentshoferin e Kosovës dhe ta konvertojnë në Gjermani.