Përmbushet amaneti i Musine Kokalarit, dorëshkrimet në Arkivin e Shtetit shqiptar

Përmbushet amaneti i Musine Kokalarit, dorëshkrimet në Arkivin e Shtetit shqiptar

Aktuale February 09, 2022 - 17:56

Një valixhe, e brenda saj thuajse gjithë jeta e disidentes shqiptare që kurrë nuk iu dorëzua diktaturës.

Me një shkrim të imët, të vështirë për t`u kuptuar nga ata që e ndeshin për herë të parë, ka hedhur në letër gjithë ç'ka përjetuar në burg, gjatë internimit në Rrëshen apo shtrimit në spital.

të gjitha origjinale. Shumë prej tyre të mbështjella me kapak plastmasi e të qepura nga vetë Musine Kokalari.

Për gati 40 vjet bashkëshortja e djalit të xhaxhait, Bibika Kokalari, ka ruajtur me fanatizëm çdo fletë.

Në prag të 105 vjetorit të lindjes, trashëgimtarët lanë në duart e arkivit jetën e intelektuales shqiptare.

Ky ishte amaneti i saj.

Ja çfarë shkruan ajo në një nga letërkëmbimet e fundit me familjarët që mban datën 29 janar 1982.

"E dashur Vera, kam kohë që jam pa lajme, si jeni me shëndet? Sot u shtrova në spitalin e Kirurgjisë, nuk e di si do të shkojë puna. Nëqoftëse pësoj gjë dua që teshat, të hollat ti marrësh ti. Dorëshkrimet që kam në një çantë plastmasi të dorëzohen në Arkivin e Shtetit, të lihen te dorëshkrimet e Sotir Koleas. Vërtet mirë i kam mbledhur e përpunuar por ai ka qenë frymëzuesi dhe mësuesi im."

E teksa amaneti i Musinesë u përmbush, familjarët kanë një merak të fundit.

"Jam e lumtur që çova amanetin e saj deri në fund. E paharruar do të jetë jeta dhe vepra e Musinesë nëse do të shkruhet nëpër librat shkollorë."

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, u zotua se të gjitha dorëshkrimet do të botohen së shpejti.

Musine Kokalari ishte një ndër kundërshtaret e regjimit të diktaturës udhëhequr prej Enver Hoxhës.

Në moshën 25-vjeçare ajo u dënua me burg dhe vitet e saj do të kalonin në qeli apo internim.

U nda nga jeta në moshën 66-vjeçare pas një beteje me sëmundjen e rëndë.