
Haradinaj kritikon Kurtin, “familjarët s’janë më për dasma por për punësime”
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, i ka bërë pyetje kryeministrit Kurti se si do e rregullojë ai situatën në vend.
Haradinaj thekson se Kurti ka penguar investimet në energji dhe rriti çmimin e rrymës, punësoi familjarët, kapi bordet e institucioneve dhe ndërmarrjeve.
Madje Haradinaj i përmendi Kurtit edhe shpenzimet e shumta për naftë të deputetëve të VV-së.
“Rreth 100 mijë qytetarëve që kanë kërkuar vizë pune vetëm në njërën nga ambasadat, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, sqaroju se si do e ndreqësh gjendjen në këtë vend?”, pyet Haradinaj.
Postimi i plotë:
Si do ta ndihmosh Kosovën z. Kurti?
- Në energji pengove e refuzove investimet dhe rrite çmimin
- Familjarët e anëtarëve të kabinetit tuaj, ministrave e deputetëve, nuk janë më për dasma, por për punësime e ngritje detyre në institucione
- Me militantët tu, në shpejtësi të paparë, kape bordet e institucioneve dhe ndërmarrjeve
- Në mesin e shumë premtimeve të tjera që i shkele sapo erdhe në pushtet, është edhe mbështetja për bujqit, të cilëve nuk ua lirove naftën e as nuk i subvencionove, por as nuk ule numrin e "xhipave qeveritarë". Përkundrazi, deputetët tuaj, po dalin të jenë kampionët e harxhimeve buxhetore.
Rreth 100 mijë qytetarëve që kanë kërkuar vizë pune vetëm në njërën nga ambasadat, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, sqaroju se si do e ndreqësh gjendjen në këtë vend?/Zëri