Abdixhiku: Ibrahim Rugova, një patriot i papërsëritshëm

Abdixhiku: Ibrahim Rugova, një patriot i papërsëritshëm

Aktuale January 21, 2022 - 10:46

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorët e tij kanë bërë homazhe te varri ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Në 16-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit, Abdixhiku u shpreh se Rugova mbetet një patriot i papërsëritshëm.

“Kemi ardhur për të bërë nderime dhe kujtime për liderin e LDK-së për artin themeltar të shtetit të Republikës së Kosovës, për presidentin historik Ibrahim Rugova.

Një njeri që ka shënuar epokë tjetër. Një njeri që ka prirë një popull të tërë nga dita e parë e aktivizimit të tij politik deri më 21 janar të vitit 2006, kur kjo lidhje, siç e kujton secili qytetar, u shpërfaq me një masë të jashtëzakonshme të njerëzve që i dhanë lamtumirën e tij të fundit në shesh dhe në Kuvend në një ditë të ftohtë.

Ibrahim Rugova mbetet një patriot i papërsëritshëm, një njeri që dha jo vetëm udhërrëfimin e kohës, por dha edhe vizion e ardhshëm të Kosovës, këtë vizion ne e kemi obligim ta shtrojmë edhe sot. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”, u shpreh Abdixhiku.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, është varrosur më 26 janar me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.