Mbrojtja kërkon ndërprerjen e paraburgimit për tre të akuzuarit në gjykimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Mbrojtja kërkon ndërprerjen e paraburgimit për tre të akuzuarit në gjykimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Aktuale January 18, 2022 - 15:43

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë të martën ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor me dëgjimin e dëshmitarëve  Z.V dhe Z.O., ku në këtë seancë mbrojtja e tre të akuzuarve: Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq dhe Rade Basara, kanë kërkuar ndërprerjen e masës së paraburgimit për të mbrojturit e tyre dhe zëvendësimin e saj me masën e arrestit shtëpiak.

Avokatët Faruk Korenica, Tomë Gashi dhe Fatos Zeqiri një propozim të tillë e kanë bërë në gjykimin ndaj Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq në janar të 2018-ës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Veri të Mitrovicës dhe nga vrasja e tij e deri më tani kanë kaluar katër vjet.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Basara, avokatit Tomë Gashi, masa e paraburgimit duhet t’i zëvendësohet të mbrojturit të tij me arsyetimin se shteti ka shpenzime për mbajtjen e tij në paraburgim dhe se asnjë prej dëshmitarëve nuk ka deklaruar për përfshirjen e të mbrojturit të tij në këtë rast.

Ai ka thënë po ashtu se i mbrojturi tij gjendet në paraburgim që tre vite, prandaj sipas tij kjo masë duhet t’i zëvendësohet me një masë më të lehtë, siç është arrest shtëpiak.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Faruk Korenica ka paraqitur po ashtu një propozim të tillë duke thënë se asnjë dëshmitar nuk e vërteton datën e 16 janarit 2018.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë rast në praktikën gjyqësore që dikush të përgjigjet për ndihmë të kryerjes së veprës penale pa u ditur se kush është kryesi i veprës penale.

“A ekziston në praktikën gjyqësore se dikush mund të përgjigjet për ndihmë të kryerjes së veprës penale, kur nuk dihet kush është kryesi i veprës penale?”, tha avokati Korenica.

Tutje, ai ka thënë se e tërë procedura është përcjellë me supozime dhe se tre herë për tre vjet ka dërguar kërkesa në gjykatë, por që nuk ka marrë përgjigje nga gjykata edhe kur të njëjtës i është lutur për rastin e vdekjes se prindërve të të mbrojturit të tij.

Në fund, avokati Korencia ka kërkuar nga trupi gjykues që ta aprovojë propozimin e tij për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, pasi ai ka thënë se beson tek trupi gjykues se nuk gabon me zëvendësimin e kësaj mase.

Edhe i akuzuarit Roshiq, ka kërkuar nga gjykata që t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, propozim ky i cili është mbështetur edhe nga mbrojtësi i tij me autorizim zëvendësues për seancën e sotme, avokati Fatos Zeqiri.

Ai ka thënë se tre të akuzuarit tjerë janë në liri, të cilët i respektojnë ftesat e gjykatës, ndërsa sipas tij kjo e drejtë i është mohuar atij.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj ka thënë se për këto propozime do të vendosë jashtë seance.

Ndryshe, në këtë seancë përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avoakti Milan Binoviq ka thënë se ende nuk i ka pranuar të gjitha shkresat e lëndës nga prokuroria dhe po ashtu ka kërkuar nga trupi gjykues që të njoftohen se cilët dëshmitarë do të ftohen në seancat e radhës.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Kurtaj është problematike çështja e ftesave për shkak të komunikimit me postën në Veri, ai ka thënë se edhe një pjesë e dëshmitarëve gjenden në Vojvodinë e që sipas tij përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nuk po mund të sigurohen, pasi që Serbia nuk bashkëpunon.

Ndryshe, kjo seancë ka nisur me vonesë për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Roshiq, avokati Mahmut Halimi ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë për shkaqe shëndetësore, ku më pas i njëjti është zëvendësuar nga avokati Fatos Zeqiri.

Por, për seancat të cilat janë paraparë që të mbahen për 19 dhe 20 janar, i akuzuari Roshiq ka thënë se do presë deri sa të kthehet avokati Halimi.

Dy dëshmitarët e sotëm si puntorë të shërbimit teknik të Elektro-Kosovës në pjesën veriore, kanë treguar për prishjet në shtyllat e rrymës dhe intervenimet e tyre në sanimet e saj në rrugën “Sutjeska”.

Ata kanë treguar se ka pasur lajmërime nga qytetaret për prishje të rrymës në atë zonë dhe se intervenimi i fundit sipas tyre për sanim të atij problemi ka qenë më 5 janar 2018 dhe se pas kësaj date të njëjtit kanë deklaruar se nuk janë të sigurt që ka pas ndonjë intervenim tjetër për rregullim të ndonjë prishje në trafon e asaj zone.

Të njëjtit kanë thënë se shtylla në të cilën ata kanë intervenuar është e njëjta shtyllë që sipas tyre ka furnizuar me rrymë zyrën e partisë SPD, ku kryetar i saj ishte tani i nderi Oliver Ivanoviq.

Seanca e sotme ka përfunduar me dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, ndërsa seancat e radhës janë caktuar më 22 dhe 28 shkurt dhe 4 mars 2022, ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë në këtë çështje penale.

Ndërsa, janë anuluar seanca e 19 dhe 20 janarit 2022.

Në seancën e 30 gushtit 2021, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj kishte marrë vendim që deklaratat e dëshmitarëve të mos publikohen, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i gjykimit.

E një kërkesë e tillë ishte përsëritur nga gjykatësi Kurtaj edhe në seancat e radhës, i cili kishte paralajmëruar edhe largimin e mediave nëse vazhdohet të publikohen të dhënat e dëshmitarëve dhe deklaratat e tyre në tërësi.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht më 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Tutje thuhet se secili nga të pandehurit në ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhë deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrit Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë.

Kjo veture thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale.

Aktauza thotë se në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura Arsoviq ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq.

E njëjta thuhet se më 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyret e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, më 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Javanoviq, më 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit më 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, i është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje. /BetimipërDrejtësi