Rama komenton reagimet për vizitën e Erdoganit në Shqipëri

Rama komenton reagimet për vizitën e Erdoganit në Shqipëri

Aktuale January 18, 2022 - 15:05

Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi të gjatë në Facebook, ka folur mbi reagimet që ka pasur në vendin tonë vizita e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

“Dje, duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime “në emër të Skënderbeut”! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre që rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, i cili ndizet sa herë unë takohem me “pushtuesin” nga Ankaraja”, shkruan kreu i qeverisë.

“Po çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë, e cila fill pas formimit të saj ka firmosur me Shqipërinë, 100 vjet më parë, në vitin e largët 1923, “Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme”? Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar në më shumë se një rast e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik, falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdoëan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, brenda rrethimit mbytës të Armikut të Padukshëm? Si mund të lidhen me luftën e pesë e kusur shekujve më parë, punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo një spital të ri ultramodern për njerëzit e këtij vendi”, shton Rama.