Ministri Latifi takohet me ambasadorin e ri amerikan, Hovenier

Ministri Latifi takohet me ambasadorin e ri amerikan, Hovenier

Aktuale January 18, 2022 - 14:26

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, me ç’rast e uroi për fillimin e misionit të tij në Kosovë dhe konfirmoi miqësinë e palëkundur mes dy shteteve.

Hovenieri theksoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm mes dy vendeve dhe shtoi se emërimi i Latifit si ministër i Shëndetësisë ka forcuar besimin e të gjithëve se Qeveria e Republikës së Kosovës po i kushton vëmendje të fuqishme këtij sektori shumë të rëndësishëm, njofton Klankosova.tv.

Ambasadori Hovenier nënvizoi mbështetjen e SHBA-së në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore edhe përmes bashkëpunimit me organizatat e tjera ndërkombëtare.

Ministri Latifi e informoi ambasadorin rreth situatës me COVID-19 dhe theksoi se vendi ynë posedon tani sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë qytetarët, kurse sistemi shëndetësor është përgatitur për reagim adekuat në rast të rritjes së mëtutjeshme të numrit të të infektuarve dhe spitalizimeve nga COVID-19.

Tutje, ministri Latifi tregoi edhe për planin konkret të Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore te të gjitha komunitetet në Kosovë edhe përmes aplikimit të telemjekësisë.

Ambasadori Hovenier ritheksoi se SHBA-ja edhe në të ardhmen do t’i ofrojnë mbështetje Kosovës për arritjen e qëllimeve të saj drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor.