Kosova ia ndalon referendumin, Serbia gjen zgjidhje për serbët e Kosovës
Foto: RAS

Kosova ia ndalon referendumin, Serbia gjen zgjidhje për serbët e Kosovës

Aktuale January 15, 2022 - 22:09

Mediat në Serbi raportojnë se meqë Kosova nuk lejoi të mbahet referendumi në territorin e Kosovës, serbët e Kosovës kanë mundësi të votojnë në Kushumli, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranje.

Serbët e Kosovës do të mund të votojnë në 45 qendrat e vendvotimeve në këto katër qytete, raporton “Blic”.

Gjithashtu, votat e votuesve nga Kosova nuk do të ndahen veçmas, por do të bëhen bashkë me votat e votuesve të qytetarëve të Serbisë që votojnë në këto qytete.

Në Vranjë do të votojnë votuesit nga komuna e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës. Në Novi Pazar do të votojnë votuesit nga komunat e Istogut, Klinës, Pejës, Dragashit, Prizrenit dhe Rahovecit, shkruan Novosti.

Votuesit nga Fushë-Kosova, Lipjani, Prishtina, Ferizaj, Shtërpca dhe Obiliqi do të votojnë në Kurshumli, ata nga komunat e Vushtrrisë, Zveçanit, Zubin Potokut, Mitrovicës dhe Leposaviqit në Rashkë.

Ky vendim u mor nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KQZ) në Serbi, pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të mos lejuar organizimin e referendumit në territorin e shtetit tonë.

Kryetari i organizmit të procesit zgjedhor atje, Vladimir Dimitrijeviq, njoftoi se vendvotimet hapën në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në ora 8 të mbrëmjes.

Referendumi në Serbi mbahet që të bëhen ndryshime kushtetuese, në mënyrë që t’i krijohet më shumë pushtet degës së Gjyqësorit në emërime dhe shkarkime.

Ambasadorët e QUINT-it në Kosovë bënë thirrje që të lejohet që ky referendum të mbahet në Kosovë, por kjo gjë u kundërshtua kategorikisht nga institucionet e vendit.

Madje, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.