Serbët e Graçanicës votojnë në referendum vetëm nëse mbahet në Kosovë

Serbët e Graçanicës votojnë në referendum vetëm nëse mbahet në Kosovë

Aktuale January 15, 2022 - 20:44

Qytetarët serbë të Graçanicës janë të gatshëm të votojnë në referendumin për ndryshimet kushtetuese të organizuar nga Serbia. Por, ata thonë që votojnë vetëm nëse referendumi mbahet edhe në Kosovë.

“Nëse hapen vendvotimet, po. Gjithçka varet prej Kuvendit sot, çfarë vendimi do të marrë dhe nëse lejojnë që të votohet në mjediset serbe, atëherë po, do të votoj”, ka thënë një qytetar serb i kësaj komune, para se të përfundonte punimet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ku u votua rezoluta kundër referendumit.

“Vështirë që të mbahet ai referendum, pasi që për çdo ditë i dëgjojmë teksa thonë se nuk do të mundësohet të mbahet ai. Mendoj se nuk do të mbahet”, ka thënë një tjetër.

Megjithatë ka edhe qytetarë që nuk duan të përfshihen farë në këtë proces.

“Jo, natyrisht që jo. Nuk votoj fare, nuk më intereson aspak politika”, theksoi një qytetare serbe e Graçanicës.

Edhe pas insistimit të ambasadorëve të QUINT-it, Qeveria e Kosovës vazhdon të mos e lejojë mbajtjen e referendumit të shtetit serb në Kosovë. Mirëpo, qytetarëve të saj që kanë dyshtetësi u ka rekomanduar të votojnë me postë ose edhe në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Pavarësisht kundërshtimit nga ekzekutivi kosovar, të premten në mbrëmje për në Kosovë është nisur koordinatori zgjedhor serb, i cili është ndaluar nga Policia kufitare e Kosovë në Merdar.

Sipas këtij institucioni, në pikën kufitare me Serbinë janë ndaluar një veturë dhe dy kamionë që dyshohet se bartnin material që do të përdorej për referendum. Policia njofton se materiali është dërguar në organet kompetente derisa gjatë personat janë kthyer prapa për në Serbi.

Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë përmes së cilës kundërshtohet organizimi i referendumit serb në territorin tonë. Referendumi serb për ndryshimet kushtetuese në fushën e drejtësisë do të mbahet nesër në Republikën e Serbisë. /tch