Selmanaj ka tri arsye përse abstenoi në votimin e Rezolutës kundër referendumit

Selmanaj ka tri arsye përse abstenoi në votimin e Rezolutës kundër referendumit

Aktuale January 15, 2022 - 19:20

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ishte i vetmi deputet i pranishëm në sallën e Kuvendit që abstenoi gjatë votimit të Rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

E për këtë vendim të tij, ai ka dalë me një sqarim, ku ka listuar tri arsye që kanë çuar deri te abstenimi.

Arsyeja e parë ishte seanca e jashtëzakonshme e cila, siç thotë ai, “ishte e panevojshme, e pakuptimtë dhe pa fije substance”.

“Asnjëherë nuk ka nevojë që Kuvendi të mblidhet për t’ia kujtuar dhe rikujtuar detyrat kushtetuese që kanë institucionet tjera. Detyrat kushtetuese për Kryeministrin, Presidentin dhe Kuvendin janë të shkruara dhe të përcaktuara me Kushtetutë, ato duhet zbatohen me detyrim nga të gjithë, pa pasur nevojë për rikujtim ndaj njëri tjetrit”, ka thënë Selmanaj, raporton Zeri.info.

Arsyeja e dytë e Selmanajt për të abstenuar në votimin për Rezolutën ishte bindja e tij “që kjo seancë ishte thirrur nga Albin Kurti për ta shpërnda një pjesë të përgjegjësisë vendimmarrëse nga pazotësia e tij për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetuese”.

“Mungesa e integritetit të tij për të marrë vendime, futi në cirkun e tij krejt në mënyrë të pakuptimtë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, u shpreh deputeti i LDK-së.

Ndërsa arsyeja e tretë e Selmanajt për të abstenuar ishte “mënyra e menaxhimit të kësaj situate në relacion me partnerët tanë strategjikë me theks të veçantë me SHBA-në”.

“Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh. Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta. Pasojat e këtij mos bashkëpunimi do i shohim në ditët dhe muajt në vijim. Kam bindjen që ky është vetëm fillimi”, tha Selmanaj.

Në fund, ai shprehu qëndrimin e tij personal që “sovraniteti dhe integriteti i Kosovës duhet të mbrohen me çdo kusht nga të gjithë ne”.

“Detyrimet kushtetuese dhe ligjore duhet të zbatohen pa asnjë mëdyshje. Marrëdhëniet e mira me aleatët tanë duhet të ruhen si sytë e ballit”, përfundoi deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj. /Zëri