Abdixhiku: Kjo qeveri sikur shijon përplasjen me faktorin ndërkombëtar
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku: Kjo qeveri sikur shijon përplasjen me faktorin ndërkombëtar

Aktuale January 15, 2022 - 14:55

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur në seancën e sotme të jashtëzakonshme, ku po diskutohet në lidhje me referendumin serb.

Ndër të tjera, Abdixhiku tha se kjo seancë është e thirrur për populizëm, sepse kushtetuta e vendit nuk lejon mbajtjen e këtij referendumi.

Madje ai tha se duket sikur kjo qeveri “shijon përplasjen” me faktorin ndërkombëtar. /Zëri

Ky është fjalimi i tij i plotë:

Fjalimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në seancën e jashtëzakonshme në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës

"I nderuar kryetar i Kuvendit,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Zonja dhe zotërinj, kolegë deputetë,

Unë do të jem i shkurt dhe i qartë meqë tema e seancës së jashtëzakonshme në pakuptimësinë e vet që na është sjellur këtu, nuk ka nevojë për trajtim të shumtë; madje për mendimin tonë nuk ka nevojë për trajtim parlamentar fare.

Për ne, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, mbajtja e referendumit kushtetues të një shteti tjetër, është çështje e mbyllur para se të nisë. Sepse, kjo tendencë, përveç se jokushtetuese dhe jashtë normave aktuale ligjore që vendi ynë i ka, është praktikë e papranueshme ndërkombëtare; është praktikë në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë dhe është në kundërshtim me relacionet e respektit që shtetet sovrane tregojnë ndaj njëra-tjetrës.

Në rastin specifik, referendumi i shtetit fqinj, i Serbisë, që, për të gjitha arsyet e mundshme destruktive e destabilizuese mohon integritetin territorial të Kosovës si dhe rendin tonë kushtetues, dhe pikërisht me referendum dëshiron të dëshmojë shtrirjen e sovranitetit serb mbi Kosovën – bëhet edhe më i papranueshëm. Prandaj, Kosova ka arsye të dyfishtë të refuzojë këtë referendum.

Në këtë vijë, LDK pret, mirëpret dhe mbështetë respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe rendit tonë kushtetues. Ky është qëndrimi ynë politik i bërë tashmë publik edhe para thirrjes së kësaj seance.

E paqartë megjithatë mbetet nevoja e kësaj seance dhe nxjerrja e një rezolute rekomanduese për Qeverinë. Dhe këtë s’mund ta kuptojmë dot. Sepse, së pari, Kryeministri i Kosovës ka obligim dhe detyrim kushtetues, të punës së tij – për këtë pra është Kryeministër i ulur aty – të zbatojë në plotni dhe pa hezitim të gjitha mekanizmat që sigurojnë këtë rend kushtetues në Republikën e Kosovës. Edhe sikur të kishte një rezolutë tjetër sot këtu në këtë Kuvend, që të thotë se duhesh ta lejosh zhvillimin e referendumit serb në Kosovë, është Kushtetuta e Kosovës që ty ta ndalon të zbatosh një rekomandim parlamentar të tillë.

Por ja që nuk ka. Përkundrazi, ke një vullnet politik të shpërfaqur nga të gjitha partitë politike shqiptare, që të thonë të veprosh sipas Kushtetutës. Rezolutat eventuale, janë sërish shprehje e vullnetit politik, vullnet i cili tashmë është i shprehur publikisht; dhe në të dyja rastet, këto vullnete politike nuk guxojnë të definojnë e edhe më pak të përcaktojnë veprimin tënd të parapërcaktuar kushtetues.

Pra a ka diçka rezoluta që të ofron si mjet, që përgjegjësia kushtetuese dhe definimi i rolit tënd kushtetues nuk ta jep? A ka diçka shtesë që Kuvendi duhet të ofrojë ty si Kryeministër, që s’mund ta zbatosh rendin kushtetues në territorin e Kosovës? A të duhen mjete, a të duhen forca shtesë, a duhet shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme, çka të ofron si vlerë të shtuar rezoluta e këtij Kuvendi?

E nëse me këtë seancë, është provuar të luhet popullisçe – pra pak shfaqje, pak fajësime e shumë dramë – duhet ta kuptoni një gjë të thjeshtë, që mund dhe t’iu duket e jashtëzakonshme, por në princip është shumë e thjeshtë. Për dallim prej praktikave destruktive që ju i instalonit sa ishit në opozitë, dje, sot, nesër e gjithherë, sa herë që institucionet e Republikës së Kosovës, pra vet shteti i Kosovës, vihet përballë Serbisë, Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon të shkaktojë përçarje nacionale në tema si këto. Nuk na duhet një opozitë e tillë. Kosovës nuk i duhet një skenë politike e tillë. Ne megjithatë shohim përtej ngushtisë partiake.

Nëse Kushtetuta i jep çdo të drejtë – dhe jo vetëm të drejtë, por dhe detyrim, Kryeministrit të shtrojë rendin kushtetues në Kosovë; dhe nëse kjo seancë nuk është shfaqje drame për popullizëm, na tregoni thjeshtë për çfarë është?

Nëse ka një aktivitet joligjor diku në Kosovë, ju nuk thirrni seancë, ju veproni. Nëse ka një një shkejle ligji, tendencë cënimi e kërcënimi – për individin e për shtetin pa dallim - ju nuk thirrni seancë, ju veproni.

Prandaj kjo seancë s’ka kuptim si substancë. Ka kuptim veç si formë; dhe atë formë e fshehjes së Kryeministrit për të marrë përgjegjësi; për çka edhe është i thirrur dhe i zgjedhur.

Për ta thënë më thjeshtë, Kryeministri nuk po guxon të marrë vendime. Ka zgjedhur Kuvendin të ndajë presionin e jashtëm ndaj tij. Problemi i referendumit serb në Kosovës nuk është për të i ri; meqë ka muaj që i është vënë në tavolinë. Dhe si me çdo temë tjetër tashmë, ai nuk po arrinë t’i japë zgjidhje problemeve dhe çështjeve që i vijnë në tavolinë.

Sepse nuk i jep zgjidhje siç duhet e me kohë, ato përfundojnë gjithherë me situata tensioni e përplasjeje. Zgjidhja e tanishme, po se po ndalje e referendumit antikushtetues, megjithatë është e shoqëruar me përplasje me komunitetin ndërkombëtar dhe me shtetet e Quint-it. E një Qeveri e mirë, proaktive e paraprirëse e problemeve pra që i merr problemet me kohë, i trajtohn me kohë, do të kishte me veti edhe komunitetin ndërkombëtar edhe moslejimin e referendumit. Por se kjo Qeveri s’mund të sjellë asnjëherë zgjidhje të mira, kjo tashmë po bëhet e njohur dhe e zakonshme. Ajo sikur shijon tensionin e përplasjen ndërkombëtare, dhe në muajt në vijim kjo përplasje e ky tension do të bëhet edhe më i theksuar.

Prandaj Kryeministër, teksa gjendesh në një situatë të tillë, më lejo t’i rikujtoj disa fjalë të një burri të madh shqiptar, që s’krijonte asnjëherë dilema të tilla për popullin e vet; por i mbante dhe popullin dhe aleatët në një anë bashkë: “Drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm” – Ibrahim Rugova, 16 dhjetor 1998.

Kryeministër, Kushtetutën e ke, ushtro rolin tënd kushtetues prej Kryeministri. Ti s’mund të kesh më qëndrime. Ti tani ke vetëm vendime. Sepse qëndrimet e tua janë vendime. Merr përgjegjësi mbi supe. Asnjë rezolutë e asnjë rekomandim nuk e bën këtë përgjegjësi as më të lehtë as më të thjeshtë. I thonë lidership; është çfarë është, por i lehtë s’është asnjëherë. Disa punë s’bëhen për duartrokitje.

Edhe një herë, LDK pret, mirëpret dhe mbështetë respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe rendit tonë kushtetues në çështjen e referendumit; siç dhe pret që Qeveria e Kosovës, përtej retorikës populliste, të ketë me kohë me vete komunitetin ndërkombëtar, e mos t’ua dhurojë kaq lehtë në anë Serbisë.

Ky është qëndrimi ynë politik. Mund të fshihesh prapa tij."