Shqipëria nga sot me ulëse në KS të OKB-së, lobimi për Kosovën një nga prioritetet

Shqipëria nga sot me ulëse në KS të OKB-së, lobimi për Kosovën një nga prioritetet

Aktuale January 01, 2022 - 12:44

Nga dita e sotme, Shqipëria do të ulet në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore që do të zgjasë deri më 31 dhjetor të vitit 2023.

Ulësja në këtë institucion kaq të rëndësishëm përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë dhe mund të konsiderohet si një prej arritjeve më të mëdha të diplomacisë shqiptare.

Me rastin e kësaj ngjarje të shënuar, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, tha se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë moment dhe për të avancuar çështjen e Kosovës.

“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë”, ka thënë Xhaçka. /A2