Latifi mbledh drejtorët e spitaleve dhe klinikave të QKUK-së, u kërkon ta ngrenë nivelin e gatishmërisë

Latifi mbledh drejtorët e spitaleve dhe klinikave të QKUK-së, u kërkon ta ngrenë nivelin e gatishmërisë

Aktuale December 23, 2021 - 15:28

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është takuar sot me drejtorin e SHSKUK-së Valbon Krasniqin, drejtorët e klinikave të QKUK-së të ndërlidhura në trajtimin e pacientëve me COVID-19, si dhe drejtorët e spitaleve rajonale, të cilët ishin të inkuadruar në takim në mënyrë virtuale.

Në këtë takim ministri Latifi kërkoi nga drejtuesit e shërbimeve shëndetësore të Kujdesit Tretësor dhe Dytësor që ta ngrenë nivelin e lartë të gatishmërisë për t’u ballafaquar me raste të COVID-19, duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në vendet përreth dhe përhapjen në shumë shtete edhe të variantit tjetër të SARS-COV-10, Omicron.

“Ministri ka përgëzuar personelin shëndetësor për punën e deritanishme, por ka tërhequr vëmendjen se situata aktualisht e qetë epidemiologjike në Kosovë mund të përmbyset nëse nuk zbatohen në fuqi masat ekzistuese dhe nëse spitalet nuk janë të mobilizuara maksimalisht për të pritur pacientë në rast të një vale të re të COVID-19”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Gjatë takimit thuhet se drejtuesit e secilës klinikë të QKUK-së dhe të spitaleve kanë informuar për kapacitetet aktuale, mënyrën si kanë menaxhuar situatat gjatë valëve të kaluara të COVID-19 dhe cilat janë sfidat që i kanë ose mund t’i kenë në rast të një vale të re.

“Në këtë takim u tha se furnizimi me pajisje mbrojtëse profesionale dhe barna kundër COVID-19 janë të qëndrueshme, përderisa u kërkua që të forcohet çdo segment, me qëllim që sistemi të jetë në gjendje ta përballojë çfarëdo situate”, thuhet në komunikatë.

Latifi theksoi se përderisa shtete me sisteme mjaft të fuqishme shëndetësore janë duke ndërmarrë masa mjaft të rrepta për shkak se COVID-19 i kanë vënë në vështirësi, Kosova që ka sistem shëndetësor me resurse shumë më të kufizuara duhet ta marrë me shumë seriozitet e gatishmëri çdo skenar të mundshëm të zhvillimit të mëtejmë të situatës epidemiologjike, duke siguruar shërbime për pacientët me COVID-19 dhe atyre me sëmundje të tjera.

Ai ka bërë thirrje, gjithashtu, që secili të punojë, qoftë nga pozita e menaxherit, profesionistit ose familjarit, për t’i bindur qytetarët që ende nuk janë vaksinuar kundër COVID-19, për ta bërë sa më parë këtë. /Zëri