Qyteti ku xhamia dhe kisha janë në një oborr, Kosumi: Ekziston dëshira mes palëve që muri mes dy objekteve të shembet
Po t’i vëzhgosh nga larg duken vetëm dy objekte fetare, ku besimtarët shkojnë për tu lutur dhe kryer obligimet fetare. Por në fakt, këto dy objekte tregojnë shumë më shumë, tregojnë tolerancën ndër-fetare në Kosovë, me të cilën mburren qytetarët e Kosovës.
Një nga simbolet më të njohura në qytetin e Ferizajt është xhamia dhe kisha ortodokse, që prej shumë e shumë vitesh ndajnë të njëjtin oborr.
Edhe pse bashkëjetojnë në mënyrë perfektë me njëri-tjetrin tash e sa vite në oborrin e xhamisë ku shërben si kult fetarë për komunitetin mysliman dhe kishës ortodokse i ndanë një mur i vetëm, por që nuk është edhe i lartë.
Imami i kësaj xhamie në Ferizaj, Naser Kosumi, thotë për Telegrafin se ekziston dëshira mes palëve që ta shembin edhe murin që gjendet midis objekteve fetare, për faktin që kjo të shërbejë si afrim mes qytetarëve të Ferizajt pavarësisht besimit që i takojnë.
“Ne me priftin ortodoks kemi një raport të shkëlqyer, shumë herë kemi takime, po ashtu pimë kafe dhe dalim shëtisim… Shumë herë e kemi diskutuar një temë që paksa na brengosë jo vetëm neve por i brengosë edhe qytetarët e Ferizajt, sepse në mes të kishës dhe xhamisë është një mur i ndërtuar mes tyre dhe meqenëse janë në një oborr kishte me qenë shumë mirë që mos të ketë fare mur ”, thotë hoxha.
E me faktin që këto dy objekte fetare janë në të njëjtën tokë, kjo tregon shumë shumë për qytetarët e Ferizajt dhe tolerancën ndër-fetare në Kosovë.
“Mirë se erdhët në qytetin e bukur të Ferizajt, mirëserdhët në xhaminë qendrore të Ferizajt. Këtu kemi xhaminë dhe kishën ortodokse të ndërtuar një vend që është karakteristikë për këtë qytet se kjo do të thotë shumë, jo vetëm që kisha dhe xhamia janë në një të njëjtin oborr por kjo tregon edhe një tolerancë të mrekullueshme të qytetarëve të Ferizajt”, thotë hoxha, duke na pritur ngrohtësisht dhe duke na uruar një mirëseardhje në atë vend të bekuar për ta.
E imami Kosumi thotë që janë duke zhvilluar edhe bisedime me kishën ortodokse për shembjen e murit, në mënyrë që të afrohen edhe më shumë këto dy fe.
“Nga ana jonë jemi të gatshëm dhe jemi duke zhvilluar bisedime edhe me palën tjetër që të afrohen më afër këto dy simbole që ta tregojnë edhe më afër bashkimin”, përfundon hoxha, duke nxituar që të hyjë në xhami për t’ua falur namazin e drekës besimtarëve që ishin mbledhur aty.