Ramosaj u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet nëse kanë informacione për ngjarjen në Gllogjan

Ramosaj u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet nëse kanë informacione për ngjarjen në Gllogjan

Aktuale November 27, 2021 - 09:36

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacione për ngjarjen e mbrëmshme në Gllogjan të jap detaje dhe të bashkëpunojë me institucionet relevante.

Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot është një mëngjes i trishtë për Deçanin dhe për tërë kombin.

“Mëngjes i trishtë për Deçanin, e tërë kombin tonë, pas sulmit makabër që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, ku humbën jetën dy nxënës, Genta Mustafaj e Ledian Hamzaj dhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj, ku mbeti i plagosur edhe nxënësi Fliant Turkaj nga Dubrava e Deçanit. Duke ju shprehur ngushëllime familjeve, lus të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante!”, ka shkruar ai.

Ndryshe, sulmin ndaj autobusit që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një, po hetohet nga Policia si “vrasje e rëndë”.

Sipas Policisë, i dyshuari gjendet në arrati.

“VRASJE E RËNDË- Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, është bërë e ditur në raportin e Poliicsë. /Zëri