Sot është Dita e Alfabetit Shqip
Shtëpia ku u mbajt kongresi, sot muze/Zer

Sot është Dita e Alfabetit Shqip

Aktuale November 22, 2021 - 08:28

Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 113 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në këtë kongres morën pjesë 150 delegatë, të gjithë figura të shquara kombëtare, nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik, “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e Shkollës së Vashave në Korçë.

Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça, si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare, si: myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin.

Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.

Sot shtëpia ku është mbajtur kongresi është shndërruar në muze dhe mund të vizitohet. Por shpeshherë ka qenë edhe cak i sulmeve huliganeske të etnive të tjera që jetojnë në Manastir të Maqedonisë së Veriut.