Përparim Ramën e uron kandidati kryesor për kryetar të Beogradit
Foto: Laura Hasani

Përparim Ramën e uron kandidati kryesor për kryetar të Beogradit

Aktuale November 15, 2021 - 13:24

Aktivisti i iniciativës “Të mos e fundosim Beogradin”, Dobrica Veselinoviq, pretenduesi kryesor për kryetar të Beogradit, e ka uruar Përparim Ramën për fitoren në Prishtinë.

Veselinoviqi, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se shpreson që Prishtina të bëhet e qëndrueshme.

“Urime Përparim Rama për rezultatin e shkëlqyer në zgjedhje! Shpresoj se do ta bëni Prishtinën të qëndrueshme, të gjelbër, të drejtë dhe qytet të solidaritetit”, shkroi Veselinoviqi në “Twitter”.

Rama e fitoi Prishtinën në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u mbajtën këtë të diel, ndërsa kundërkandidat i tij ka qenë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndryshe, Veselinoviqi njihet si një aktivist i devotshëm për ambientin, por edhe si kundërshtar i ashpër i politikës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Zgjedhjet lokale në Serbi do të mbahen në prill 2022. /Zëri