Familja Berisha e konsideron të dëmshme deklaratën e ministrit Sveçla se Luan Berisha u vetëvra

Familja Berisha e konsideron të dëmshme deklaratën e ministrit Sveçla se Luan Berisha u vetëvra

Aktuale November 09, 2021 - 10:52

Familja Berisha dhe avokati i saj Flakron Sylejmani e kanë konsideruar të dëmshme deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se punëtori i Doganës, Luan Berisha, ka bërë vetëvrasje.

Përmes një reagimi në Facebook, familja Berisha dhe avokati i tyre kanë thënë se deklaratat e tilla për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional.

“Unë si avokat, por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pamatur, të dëmshëm dhe joprofesional. Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetërorë e në veçanti të ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve, nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur, si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre”, citohet të ketë thënë Sylejmani, raporton Zeri.info.

Avokati, në emër të familjes, ka ftuar Prokurorinë që të reagojë ndaj një deklarate të tillë, dhe sipas tyre “të mos lejojë që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetërorë ose cilitdo person tjetër.

“Si përfaqësues i familjes ftoj të gjithë, pa dallim, që të përmbahen nga deklarimet lidhur me rastet të cilat janë në fazën e hetimeve, për shkak të ndjeshmërisë që këto raste kanë dhe për shkak të dëmit që mund t’ua shkaktojnë familjarëve. Po ashtu, ftojmë prokurorin e Shtetit që të reagojë ndaj një deklarate të tillë dhe të mos lejojë që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetërorë ose cilitdo person tjetër”, citohet më tej të ketë thënë avokati Flakron Sylejmani në emër të familjes Berisha.

Në prill të këtij viti zyrtari i Doganës së Kosovës, Luan Berisha (45 vjeç), ishte gjetur pa shenja jete në një veturë në oborrin e institucionit ku punonte.

Policia e Kosovës, në njoftimin zyrtar për vdekjen e Luan Berishës, pati thënë se dyshimet e para janë se viktima kishte kryer vetëvrasje, pasi kur ishte gjetur nga policia në veturë kishte pasur një armë në duar, me të cilët dyshohej se është kryer akti.

Në vendin e ngjarjes po ashtu ishin gjetur dy gëzhoja të armës.

Por, pavarësisht kësaj, nga Policia patën deklaruar se rasti kishte nisur të hetohej si “vdekje e dyshimtë”.

“Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vetëvrasje të mundshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si ‘vdekje të dyshimtë’ dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do t’i ndihmonin hetimit të ngjarjes dhe sqarimit e ndriçimit të plotë të rastit”, thoshte Policia.

E dje motra e Luanit, Laura Berisha, ua preu rrugën kryeministrit Kurti, ministrit Sveçla dhe ministrave të tjerë për të marrë përgjigje mbi rastin e vëllait të saj, por përgjigje nuk mori. /Zëri