LVV-ja në Prishtinë fton partitë e tjera të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për NPB-në

LVV-ja në Prishtinë fton partitë e tjera të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për NPB-në

Aktuale October 22, 2021 - 15:32

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi, ka shfaqur pakënaqësitë për Ndërmarrjen Publike Banesore, duke theksuar se skandalet e shumta, që sipas tij po ndodhin aty, po detyrojnë LVV-së që të ngrejë shqetësime rreth kësaj çështjeje.

Në një konferencë për media, ai ka renditur shkeljet, të cilat sipas tij i ka bërë kjo ndërmarrje.

“Ndryshimi i Rregullores së ndërmarrjes, humbja e pronës në emër të marrjes së disa lokaleve, akt material i paligjshëm, marrja e lejeve dhe kushteve ndërtimore pa dokumentacion të plotë, pagesa milionëshe për leje nga NPB-ja për pronën dhe objektet që tentonin t’ua transferonin kompanive të përzgjedhura në mënyrë shumë të dyshimtë. Një nga kompanitë e përzgjedhura për këtë projekt 200-milionësh është hapur para se të fitonte në këtë aplikim. Pra vetëm kjo dëshmi ka mjaftuar që të nisin hetime serioze dhe të ndalet ky projekt i dëmshëm. Për më tepër, pikërisht kjo kompani e cila është themeluar një ditë para se të konkurronte ka fituar dhe ka nënshkruara kontratën bashkë me NPB-në”, tha Azemi.

Ai tha se kështu punohej edhe tinëzisht natën, duke u rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe të banorëve të lagjes “Lakrishte”.

“Sikur të mos mjaftonin gjithë këto shkelje, tinëzisht gjatë vikendeve dhe orëve të para të mëngjesit u ka rrezikuar seriozisht edhe shëndeti i qytetarëve, konkretisht shëndeti i studentëve në shkollën ‘Xhevdet Doda’ dhe banorëve në lagjen ‘Lakrishte’. Aty dështoi Inspekcioni komunal, mirëpo falë reagimit qytetar ne automatikisht kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe kemi kontaktuar policinë dhe njësitet tjera të inspekcionit komunal që të dalin në vendin e ngjarjes dhe ta ndalojnë atë rrënim kriminal, sepse bëhej fjalë për një material kancerogjen, atë të azbestit. Edhe pse Inspekcioni komunal dështoi, sepse vikendeve nuk janë të interesuar të punojnë dhe konsideronin se kanë leje rrënimi, pa shikuar asnjë kriter ligjor se çka përcakton një leje rrënimi dhe çfarë materiali po rrënohet me bager”, tha Azemi.

Azemi shtoi se “dhjetëra shkelje serioze që madje e rrezikojnë shëndetin qytetar duhet ta vënë në alarm çdo subjekt politik”.

Ai po ashtu u bëri ftesë subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës që të japin nënshkrimet për organizimin e një seance të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.

“Ne sot u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të na japin nënshkrimet për të thirru një seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë në rend të ditës për të gjitha këto probleme me ndërmarrjen Publike Banesore dhe të kërkojmë menjëherë shkarkimin e këtyre aksionarëve që kanë nisur që nga fillimi këtë proces joligjor, jotransparent dhe të dëmshëm për Komunën e Prishtinës”, tha Azemi.

Tutje, ai ftoi edhe asamblistët e LDK-së dhe të PDK-së që të dëshmojnë se jo vetëm në fushatë janë të gatshëm të mbrojnë interesin qytetar.

“Ndërmarrja Publike Banesore është e secilit qytetar të Prishtinës, prandaj ajo pronë aq e madhe dhe aq e vlefshme nuk duhet të lejohet që të trajtohet kaq mizorisht nga këto kompani dhe nga këta aksionarë politikë”, tha Azemi. /Zëri