Tahiri: U deshën pak muaj për ta parë dështimin e Vjosës dhe Albinit në sjelljen e ideve konkrete për vetingun

Tahiri: U deshën pak muaj për ta parë dështimin e Vjosës dhe Albinit në sjelljen e ideve konkrete për vetingun

Aktuale October 21, 2021 - 10:01

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka dalë me një reagim ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit dje në një konferencë për media kundërshtoi pjesën e raportit të Komisionit Evropian, ku thuhet se vetingu paraqet një burim shqetësimi serioz, e njëjta nuk u pajtua fare me këtë konstatim.

Tahiri ka thënë se presidentja e ngarkuar me barrë personale për shkeljet e saj, përbuzi punën e dhjetëra e qindra profesionistëve të sistemit të drejtësisë.

“Presidentja e vendit, e ngarkuar me barrë personale për shkeljet e saj që i janë evidentuar në raportin e progresit, ngarendi dje në konferencë për shtyp për t’i bërë një analizë të paqëndrueshme gjendjes në sistemin e drejtësisë, duke përbuzur punën e dhjetëra e qindra profesionistëve të këtij sistemi, që në baza ditore përpiqen për ta mbajtur atë në këmbë. Konstatimi se të gjithë mekanizmat e tjerë institucionalë janë të dështuar, për çfarë vetingu është domosdoshmëri, është jo vetëm konstatim i pasaktë, por edhe i turpshëm dhe dëm i madh në pasqyrimin e realitetit të vendit, ku ajo e mban pozitën e presidentes”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ai tha se u deshën vetëm pak muaj për të parë dështimin e mazhorancës së Osmanit e Kurtit.

“Pak muaj u deshën për ta parë qartë dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, Qeveria aktuale nuk ka as ide, as dije dhe as formulë për vetingun.

“Bashkimi Evropian, siç edhe partnerët tjerë strategjikë që kanë ndihmuar Kosovën në këtë sektor, asnjëherë nuk kanë konstatuar se vetingu nuk duhet të ndodhë. Por para se një i tillë të vijë në shprehje, e për çfarë Qeveria aktuale nuk ka as ide, as dije dhe as formulë, duhet fillimisht të vihen në jetë të gjitha instancat tjera pararendëse, që sigurojnë integritet e llogaridhënie”, ka thënë ai. /Zëri