2500 euro gjobë LDK-së në Lipjan për shkeljet e bëra gjatë fushatës

2500 euro gjobë LDK-së në Lipjan për shkeljet e bëra gjatë fushatës

Aktuale October 20, 2021 - 15:44

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Lipjan, është dënuar me gjobë në shumën prej 2500 eurosh për shkak të shkeljeve që kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i publikuar sot, gjatë fushatës zgjedhore të kandidatit nga radhët e LDK-së për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti, janë ekspozuar fëmijë.

PZAP-i po ashtu bën të ditur se nga kjo parti është bërë edhe thyerja e fushatës zgjedhore.

“Pranohet e bazuar ankesa Anr. 644/2021 e Organizatës joqeveritare BIRN dhe Internës Kosova I/KS, ndërsa subjektit politike Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Lipjan, i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 2,500 (dy mijë e pesëqind) euro, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, me rastin e promovimit të subjektit politike dhe kandidatit duke përdorur - ekspozuar personat nën moshën 15-vjeçare, me qëllim të përfitimit elektoral, në fushatë zgjedhore dhe në thyerjen e heshtjes zgjedhore, në Zgjedhjet Lokale 2021, të mbajtura më 17.10.2021”, thuhet në vendim.

Në vendim theksohet se LDK-ja me seli në Lipjan duhet ta paguajë gjobën në afatin kohor brenda prej 15 ditësh.

“Detyrohet subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Lipjan, që gjobën e shqiptuar si në pikën I të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguajë në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimit, nën kërcënim e shqiptimit të dënimit shtesë”, theksohet në vendimin e publikuar nga KQZ-ja.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Imri Ahmeti ka fituar edhe një mandat tjetër për ta udhëhequr komunën e Lipjanit.

Sipas KQZ-së, Ahmeti ka fituar me 56,45% të votave, duke lënë mbrapa kandidatin e LVV-së Adnan Rrustemin me 22,96%, kandidatin e PDK-së Hyzer Rizanin me 19,24% dhe atë të AAK-së Bashkim Budakovën me 1,35%. /Zëri

Image