Universiteti në Holandë në diplomën e kosovares ia shkruan “Republika Federale e Jugosllavisë” në vend të “Kosova”

Universiteti në Holandë në diplomën e kosovares ia shkruan “Republika Federale e Jugosllavisë” në vend të “Kosova”

Aktuale October 05, 2021 - 11:22

Donika Elshani, në të 20-at e saj, i ka përfunduar studimet master për menaxhim të krizave dhe sigurisë në universitetin "Leiden" në Holandë.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, ajo i ka nisur dhe i ka përfunduar studimet në versionin online nga Prishtina, pa u takuar asnjëherë fizikisht me kolegët dhe profesorët e saj.

Ndërkohë që ka nisur përgatitjet për të shkuar në Hagë, për ceremoninë e diplomimit, një e-mail që ka marrë nga fakulteti i ka nxjerrë një angazhim të ri.

Në të Elshanit i është thënë se vendi i lindjes – që do t’i paraqitet në diplomë – nuk do të jetë “Prizren, Kosova”, por “Prizren, Republika Federale e Jugosllavisë”.

Fillimisht kjo gjë asaj i është dukur e çuditshme, pasi kur ka përfunduar studimet në nivelin bachelor, po ashtu në Holandë - ndonëse në tjetër universitet - vendlindja nuk i ka figuruar në diplomë dhe rrjedhimisht nuk është përballur me diçka të tillë.

E habitur nga njoftimi i Universitetit, ajo më pas i është drejtuar Komunës së Amsterdamit për ta ndryshuar vendlindjen nga Jugosllavi në Kosovë.

“Kam nxjerrë certifikatën e lindjes në Kosovë dhe bashkë me pjesën tjetër të dokumentacionit i kam dërguar me postë në Departamentin e Komunës së Amsterdamit, i cili merret me ndryshimin e informatave të personave që janë të regjistruar aty. Ata më pas më kanë njoftuar që duhet të presë katër javë për përgjigje”, ka thënë Elshani.

Yllka Geci, konsulle në Ambasadën e Kosovës në Hagë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se jo vetëm për studentët, por edhe për të gjithë qytetarët e ish-Jugosllavisë, që jetojnë në Holandë, vlen vendimi i njëjtë.

“Pas vitit 2008, çdo dokument që lëshohet nga shteti holandez e ka emrin e Kosovës në të sepse autoritetet e njohin shtetësinë e Kosovës nga viti 2008. Më herët ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne kemi bërë përpjekje, kemi pasur takime të vazhdueshme këtu me komunën. Zakonisht problemi më i madh ka qenë nëpër banka, nëpër spitale, sepse është e cekur ish-Jugosllavia”, ka deklaruar Geci.

Pse ndodh kjo?

Zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Holandë, duke përfshirë edhe ambasadorin, janë marrë me këtë çështje, por nuk kanë arritur të ndryshojnë diçka, sipas Gecit.

“Kemi pasur takime të ndryshme me zyrtarë të Holandës, por tani për tani situata është kjo”, është shprehur Geci.

Certifikatë e lindjes, e lëshuar nga autoritetet holandeze për një person që ka lindur në Prishtinë, por vendlindja i paraqitet si Jugosllavi, meqë ai/ajo ka lindur më 1996.

Komuna e Amsterdamit ka treguar për Radion Evropa e Lirë se momenti i lindjes e përcakton shtetin e lindjes.

Marloe Boon nga Zyra për Media në këtë komunë, ka thënë në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë se ky rregull vlen edhe nëse emri i shtetit ndryshon më vonë.

“Kjo gjë nuk vlen vetëm për ish-Jugosllavinë, por edhe për shtetet si Bashkimi Sovjetik, zona kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë dhe ish-kolonitë holandeze”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse mund të ndryshojë kjo e dhënë, nëse bëhet kërkesë personalisht, përgjigjja ka qenë negative.

“Kjo nuk mund të ndryshohet. Një person lind në shtetin që është krijuar në datën e lindjes. Prandaj, sistemet e çështjeve civile gjithashtu funksionojnë duke u bazuar në datën e nisjes së një shteti dhe datën e ekzekutimit. Kjo gjë e bën teknikisht të pamundshme që të bartet data e krijimit të një shteti që nuk ka ekzistuar në datën e lindjes së një personi”, ka sqaruar mes tjerash Boon.

Por, vende tjera të Bashkimit Evropian, shembull Suedia mundësojnë ndryshimet.

Agjencia e Taksave në Suedi, që merret me çështje të ngjashme të regjistrimit të të dhënave, përmend në faqen e saj zyrtare se për hir të parimit, vendi i lindjes duhet të regjistrohet siç është quajtur në kohën e lindjes së personit, edhe nëse emri i shteti ka ndryshuar më vonë për shkak të arsyeve administrative, politike, linguistike apo arsye tjera.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU