Pas marrëveshjes për targat, PSD-ja reagon me aksion para Qeverisë
Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar sot një aksion pas marrëveshjes së arritur dje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë aksion të PSD-së në veturat zyrtare të Qeverisë janë parë duke u vendosur tabela me akronimin “KM”.
Të pranishëm në këtë aksion janë kreu i kësaj partie Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi e Teutë Rrusta.
Pjesë e këtij aksioni ishte edhe policët e Kosovës, të cilët janë parë vetëm duke e vëzhguar situatën.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dje një marrëveshje trepikëshe me ndërmjetësimin e BE-së.
Sipas kësaj marrëveshjeje, njësitet speciale të Kosovës të vendosura në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen duke nisur nga 2 tetori, e ku në vend të tyre do të vendosen KFOR-i për rreth dy javë për të garantuar sigurinë.
Si pikë e dytë nga kjo marrëveshje, nga 4 tetori do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit, për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë. /Zëri